Miniera e Bulqizës, PS: Kamp përqendrimi, ku varfëria mban peng jetën
Tiranë- “Galeritë e minierave janë shndërruar në kampet e përqëndirmit të kohëve moderne, ku varfëria mban peng vetë jetën dhe lirinë e minatorëve e familjarëve të tyre, ndërkohë që pushtetarët e biznesmenët të babzitur nxjerrin miliona euro përfitime me çmimin e lirë të lëkurës së minatorëve skllevër, që varfëria i detyron të punojnë e vdesin në galeritë e minierave”.
Kështu shprehen në letrën drejtuar ministri të METE, Nasip Naço nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste në shprehje të shqetësimit për tragjeditë e njëpasnjëshme që po shakkton miniera e kromit në Bulqizë.
“Edhe pse greva e minatorëve mori fund pak kohë më parë me një marrëveshje ndërmjet Sindikatës dhe Shoqërisë Koncesionare ACR duke i dhënë vetëm zgjidhje të përkohshme problemeve të vetë minatorëve, familjeve të tyre, qytetit dhe banorëve që jetojnë me galeritë e minierës, fakte të njëpasnjëshme më kokëforë sesa justifikimet politike Tuajat, të Kryeminsitrit e të Qeverisë, na lënë të kuptojmë se zgjidhja përfundimtare është më larg se kurrë, siç është rreziku fatal më afër se ndonjëherë më parë”- thuhet në letër.
Sipas deputetëve socialistë gjatë këtij muaji kanë humbur jetën mbi 5 minatorë. Duke shtuar se fëmijë e familje vazhdojnë mbeten jetim mes katër rrugëve pse kanë humbur prindin, vëllain a të afërmin në errësirën e tuneleve.
Sipas tyre një problem shumë shqetësues është shfrytëzimi i këtyre pasurive kombëtare pa asnjë kriter.
“Pasuria kombëtare në minierën e Bulqizës ashtu si dhe në çdo burim tjetër minerar, vazhdon të shfrytëzohet pa asnjë kriter duke rrezikuar seriozisht shkatërrimin përfundimtar dhe varrosjen pa kthim të pasurisë kombëtare”- thuhet në letrën drejtuar ministrit Naço, duke shtuar se ekzistojnë dyshime serioze sipas të cilave grupe tërësisht mafioze e të veshura me pushtet, kontrollojnë shfrytëzimin dhe tregëtimin e mineralit duke përdorur minatorët si skllevër e pasurinë kombëtare si mall pa zot.
Grupi i deputetëve të PS-së në Kuvendin e Shqipërisë kërkojmë informacion të detajuar e të plotë për çështjet e poshtëshënuara:
1. Sa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 deri sot?
2. Cila është pozita ligjore e kompanisë ACR në raport me shtetin shqiptar?
3. Cili është kontraktori i vërtetë? Vazhdon Darfo me nënkontraktor ACR apo është ACR që zëvendëson Darfo me ndryshim emri?
4. Darfo SRL dhe Darfo SPA janë e njëjta kompani apo dy të ndryshme?
5. Cili është aktiviteti ekonomik i ACR nga viti 2000 kur është regjistruar për herë të parë si person juridik deri në 2007 kur filloi biznesin e mineralit në Bulqizë?
6. Sa eshte prodhimi i mineralit te kromit në Minierën e Bulqizës?
7. Nga prodhimi i pergjitheshem i mineralit te kromit sa eshte shkrire ne uzinat e ferrokromit dhe sa eshte ekportuar direkt si mineral?
8. Sa eshte vellimi i eksportit te mineralit te kromit apo ferrokromit ne ton dhe ne vlere?
9. Bazuar në Marreshjen koncesionare të miratuar në Parlament 10 vite më parë, sa është totali i investimeve të realizuara nga Koncesionari për secilin nga zërat e marrëveshjes?
10. A ka filluar te hapet Zona Veriore e minieres se Kromit Bulqize? Sa eshte avancuar drejt thellesise dhe kur perfundon hapja e saj?
11. METE, dhe ju si Ministër i METE, i njihni vlerë ligjore dhe detyruese marrëveshjes së nënshkruar në 9 Korrik 2009 ndërmjet Ministrit Ruli dhe ACR, marrëveshje që modifikonte marrdhënien koncesionare, por që ende sot e kësaj dite nuk është miratuar në parlament siç e kërkon ligji?
12. Cili është arsyetimi institucional bazuar në Kushtetutën e RSH dhe legjislacionin në fuqi sipas të cilit kjo marrëveshje edhe pse e pamiratuar në Parlament, ka fuqi ligjore?
13. Sa është fitimi i deklaruar i Koncesionarit kryesor në Bulqizë?
14. Sa serioz është rreziku që Bulqiza të shkatërrohet për shkak të mungesës totale të investimeve kapitale?
15. Sa është numri total i subjekteve të liçensuara që shfrytëzojnë pasuritë minerare të Bulqizës?
16. Në dijeninë tuaj, sa është numri i subjekteve që punojnë pa asnjë liçensë?
17. Sipas raporteve që ju dispononi, afërsisht sa ton mineral përbën tegu i mineraleve që eksportohet?
18. Cilat janë kushtet e punës së minatorëve?
19. Sot që flasim a po punohet në ndonjë zonë që haptazi cilëzohet si tejet e rrezikshme për jetën e minatorëve?
20. Sa është numri i çështjeve gjyqësore të përfunduara ndërmjet kompanive private dhe METE sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cili është përfundimi i tyre?
21. Për çështjet gjyqësore të përfunduara në favor të kompanive private, sa është shuma totale e dëmshpërblimit të caktuar nga gjykata që duhet të paguajë shteti?
22. Sa është numri i çështjeve gjyqësore në vazhdim ndërmjet kompanive private dhe METE sa i përket shfrytëzimit të pasurive minerare dhe cila është ecuria e tyre?
23. Miniera e Kromit Bulqize a eshte shpallur si miniere me regjim gazi? A garantohet jeta e punonjesve ne kete miniere duke punuar me paisje qe nuk plotesojne kushtet e antideflagrances?
Dy ditë më parë miniera e Bulqizës i mori jetën një tjetër minatori, duke shkaktuar kështu edhe tragjedinë e rradhës brenda galerive të kësaj miniere. Edhe pse ka pak ditë që puna në minierë ka rifilluar pas 6 muajsh ndërpreje, pas zhbllokimit të punës nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, siç duket jeta e minatorëve vazhdon të jetë në rrezik gjatë procesit të punës në minierën e kromit.
Dorina Bilbili/IDEA
No related posts.