E Diel, 1 Nëntor 2026

Lind Alternativa Civile, nevojë për një shoqëri civile më aktive

Në mënyrë graduale, politika përcau dhe zhbëri sindikalizmin. Krerët e sindikatave u lejuan të korruptohen, ose u përfshinë në forumet drejtuese të partive dhe sot ata i përkasin oligarkisë dhe nuk e përfaqësojnë më klasën punëtore. Aktualisht, Shqipëria është i vetmi vend pa struktura sindikaliste. Për pasojë, në Shqipëri ndodh absurdi më i madh, ku partia që ndodhet në opozitë luan edhe rolin e sindikatave.
Sot në Shqipëri, çdo lloj organizimi publik ka në themel politikën. 1 Maji, 7 Marsi, 8 Marsi, e madje edhe Dita e Verës dhe festat fetare kanë për protaginistë po politikanët. Shoqëria vetë ka kohë që nuk organizohet, nuk feston dot vetë dhe nuk proteston dot vetë. Eshtë politika ajo që e organizon dhe e shfrytëzon shoqërinë, është politika që i organizon asaj edhe ditëlindjen edhe funeralin.
Kjo skemë e kontrollit të gjithë jetës publike e shoqërore nga klasa politike, ka lënë mënjakë dhe ka neglizhuar kapacitete të mëdha intelektuale, ka lënë mënjanë e ka neglizhuar energji të mëdha njerëzore, duke shterur edhe vetvehten nga prodhimi i ideve dhe alternativave. Në një vend ku edhe presidenca dhe KLD shndërrohen në parti politike, shoqërisë civile i duhet të marrë më shumë përgjegjësi.

Në këto kushte, një grup intelektualësh, të paangazhuar politikisht, me mbështetjen e Ambasadës Amerikane, janë bashkuar në krijimin e lëvizjeje të re qytetare, Alternativa Civile.
Qëllimi i Alternativës Civile, është prodhimi i nismave dhe ideve, në shërbim të përmirësimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. AC ka një program të sajin, sipas të cilit cilit do të ndërojë aksionet e saj.

Dy aksionet e para ligjore në të cilat do të angazhohet AC:

1- Nismë ligjore për kufizimin e numrit të mandateve të të zgjedhurve vendorë deri në 2. Pse? Sepse, sipas studimit tonë, pas zgjedhjeve vendore të Majit, rreth 30 % e të zgjedhurve vendorë janë duke konsumuar mandatet nga 3 – 6. Të shndërruar në pronarë të komunave dhe bashkive, ata kanë ndërtuar tashmë mekanizmin e riciklimit të pushtetit, duke deformuar demokracinë e mbajtur peng njësitë që drejtojnë.

2- Nismë ligjore për ndryshuar ligjin për arsimin parauniversitar dhe sanksionimin e zgjedhjes me votë të drejtuesve të arsimit në qytet(të zgjedhur nga komuniteti i mësuesve) dhe drejtorave të shkollave(të zgjedhur nga komuniteti i prindërve). Pse? Sepse të gjithë e dimë, se me rrotacionin e forcave politike, sektori i arsimit pëson një transfuzion me përmasa traumatike. Në krye të arsimit në rrethe vendosen njerëzit që bëjnë pjesë në skalionin e parë të militanteve partiakë dhe detyra e parë e tyre është të sistemojë në punë mësuesit që kanë kontribuar në fushatat elektorale. Eshtë e pakonceptueshme, që me ndërrimin e pushteteve ndërrohen të gjithë drejtorët e shkollave dhe të kopshteve. Politikën e kuadrit nuk e bëjnë më zyrat e burimeve njerëzore, por dega e partisë në rreth, e cila harton dy palë lista; e para me mesuesit që duhet të shkarkohen, që i përkasin tashmë opozitës dhe e dyta, me mësuesit që duhet të emërohen, që i përkasin mazhorancës. Pjesë e kësaj bindjeje të verbër politike, drejtuesit e shkollave dhe arsimit i shndërrojnë armatat e mësuesve, e akoma me keq edhe të nxënësve, në turma mitingjesh që duhet të mbushin sheshet e qytetit të tyre, apo të transportohen me autobuzë si mitingashë të importuar.

Të enjten, ora 11.30 në Hotel Tirana, bëhet prezantimi i Alternativa Civile dhe programit të saj.

No related posts.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›