Nata ime në polici, pas një kërkese për ndihmë
Ora 03.30
Pas sulmit që i bëhet mikut tonë (që u përpoq të na mbronte) nga dy persona të panjohur, të cilët po na shqetësonin pa masë gjatë rrugës për në shtëpi, instinkti i parë është të formojmë numrin 129 dhe të kërkojmë ndihmë nga Policia e Shtetit. (Natyrisht, pas ngjarjes në fjalë, nuk do të bëjmë më gabimin fatal të kërkojmë ndihmën e policisë, për asnjë arsye). Brenda pak çastesh, makinat e Shqiponjave u ndodhën në vendngjarje. U treguam “Shqiponjave” se telefonatën e kishim kryer ne dhe kërkuam të paraqiteshim në rajonin e policisë, për të dëshmuar mbi rastin. Shqiponjat na shoqërojnë në Komisariatin Nr.2.
Ora 04.00
Unë dhe shoqja ime, bashkëvuajtëse dhe dëshmitare të agresionit, ndodhemi në korridorin e Komisariatit Nr.2, të shoqëruar nga një grumbull policësh të paorganizuar. Pak minuta pas nesh, në korridor shfaqet një grumbull tjetër policësh të paorganizuar, të cilët shoqërojnë mikun tonë, të gjakosur, si edhe dy agresorët.
Nga grumbulli i policëve vijnë here pas here pyetje kurioze mbi rastin, ndërkohë që agresorët shoqërohen brenda një dhome, tek dera e të cilës lexohet “Zyra e Mbledhjeve të Inspektorëve të Rendit”. (Detaje mbi pamjen e zyrës në fjalë, mund t’i gjeni në përmbledhjen e situatës së orës 04.30).
Pas më pak se 10 minutash, agresorët, të shoqëruar nga disa policë, dalin nga dhoma dhe vazhdojnë përgjatë korridorit, drejt birucës. Njëri nga policët na thotë që është radha jonë të futemi në dhomën ku lexon “Zyra e Mbledhjeve të Inspektorëve të Rendit”. Futemi tek Zyra e Mbledhjeve, të shoqëruar nga dy punonjës policie. Njëri prej tyre na pyet me radhë për gjeneralitetet dhe pastaj për rrjedhën e ngjarjes - siç arrijmë të kuptojmë, po përpilohet një procesverbal. Tjetri del jashtë, pastaj futet prapë brenda. Një i tretë futet brenda dhe këshillon të dytin të ndihmojë të parin, në plotësimin e kopjes së procesverbalit. I dyti i thotë të tretit që nuk e ka shkrimin të mirë dhe kërkon të largohet. Në zyrë mbetet vetëm punonjësi i parë. Pasi mbaron së shkruari edhe kopjen e dytë të procesverbalit, ne e pyesim se ç’do të ndodhë më tej. Ai na thotë se duhet të presim ardhjen e Inspektorit të Krimeve, në mënyrë që të bëjmë denoncimin. Pyetjes se kur vjen Inspektori, nuk ia kuptuam dot përgjigjen. Punonjësi largohet.
ORA 04.30
Mbetemi vetëm në Zyrën e Mbledhjeve, e cila është një dhomë modeste e përbërë nga tre tavolina të vendosura pa rregull dhe disa karrige druri. I vetmi mobilim i saj është një orë muri që, sipas llogaritjeve, është 7 minuta mbrapa. Në këto çaste, fillojmë të ndiejmë seriozisht të ftohtit. Dera hapet dhe hyn një punonjës policie, i cili na pyet se çfarë ka ndodhur. Tregojmë për të disatën herë historinë tonë, duke shpresuar që kjo është hera e duhur, por fatkeqësisht punonjësi i policisë që na pyet është thjesht një më shumë në grupin e policëve kuriozë, që s’kanë asnjë lidhje me rastin tonë. Në këto çaste, miku ynë fillon të ndiejë edhe më shumë dhimbjet e goditjeve të marra, por askush nuk shfaqet në derë. Njëra nga ne hap derën e dhomës. Në korridor nuk duket askush. I biem derës, derisa shfaqet diku një kokë polici që bërtet: “Futuni në dhomë!”. I shpjegojmë që miku ynë mbase ka nevojë për një ndihmë mjekësore, por ai na thotë që, sikur të ishte vërtetë ashtu, nuk do t’i kishim telefonuar Policisë, por Ambulancës! E pyesim se ku ndodhet Inspektori i Krimeve, tek i cili duhet të denoncojmë rastin, por ai na thotë që nuk ka pse të na japë sqarime dhe se inspektori mund të vijë në çfarëdolloj ore. Ne revoltohemi dhe i themi që nuk jemi të detyruar të rrimë të mbyllur në një dhomë, për të pritur një Inspektor - që duhej të ishte këtu, por nuk dihet kur vjen - për të denoncuar sulmin që pësuam. Ai revoltohet edhe më shumë dhe na shtyn të treve brenda dhomës, duke mbyllur derën pas vetes.
ORA 05.00
Jemi ende të mbyllur në Zyrën e Mbledhjeve, duke pritur Inspektorin e Krimeve, pa asnjë sqarim, pa asnjë përgjigje.
ORA 05.20
Dikush hap derën dhe lajmëron ndërrimin e turnin.
ORA 06.00
Dalim në korridor ku ndodhet një punonjës policie, i cili ka turnin. E pyesim për inspektorin, por as ai nuk dha përgjigje. Futemi në dhomë. Dalim sërish nga dhoma. I njëjti punonjës, e njëjta skenë.
ORA 07.00
Dridhemi nga të ftohtit dhe jemi tejet të nevrikosur me situatën në të cilën ndodhemi dhe me gjakftohtësinë absurde të punonjësit të policisë, i cili na thotë që detyra e tij e vetme është të na mbajë aty derisa të vijë Inspektori.
Ndërkohë, vijnë tre punonjës të tjerë policie, njërit prej të cilëve, të tjerët i drejtohen me titullin “Inspektor”. Fatkeqësisht, ai është thjesht Inspektori i Rendit e ne duhet të denoncojmë rastin tek Inspektori i Krimeve, vendndodhja dhe koha e ardhjes së të cilit, është një mister i plotë. Gjithsesi, Inspektori i Rendit na thotë se mund t’ia japim atij dëshminë e pastaj të largohemi. Na thotë të futemi në një dhomë tjetër me njëfarë ngrohjeje primitive, tek e cila deri në ato çaste ishte duke fjetur një punonjës policie. Më në fund, arrijmë të bëjmë dëshminë tonë.
ORA 07.45
Takohemi me mikun tonë, i cili është i detyruar të qëndrojë akoma në Komisariat, duke pritur Inspektorin e Krimeve, për të bërë denoncimin dhe pyesim veten nëse do ta takojë dot ndonjëherë…
ORA 08.00
Dalim nga dera e Komisariatit, nën humorin pa kripë të policit roje, i cili na thotë që të mos ankohemi shumë, ndryshe na kthen prapë brenda…
P.S.
Do të doja të isha me specifike përsa i përket informimit mbi pozicionin/gradat e çdo punonjësi të Policisë që komunikoi me ne gjatë kohës së qëndrimit në Komisariat, por është praktikisht e pamundur, sepse asnjëri prej tyre nuk u prezantua zyrtarisht.