Një akt çnjerëzor, pas një aksidenti rrugor
Ngjarja që dua t’ju tregoj, më ka ndodhur përpara dy ose tre muajsh në zonën pranë Liqenit Artificial të Tiranës. Shpresoj të jetë me interes për rubrikën e raportimeve që keni hapur në gazetë. Me anë të këtij tregimi dua të bëj një apel njerëzor, për të qenë më të ndjeshëm ndaj jetës komunitare sepse raste si ky dëshmojnë që kemi përftuar një lloj indiference, gati vrastare, që të trondit.
Ka të bëjë me një aksident rrugor, ku unë kam qenë dëshmitare okulare. Ka qenë muaji gusht ose shtator. Një makinë me targa Tirane, tip fuoristradë, erdhi me shpejtësi nga rruga ku ndodhet gjimnazi “Petro Nini Luarasi” në drejtim të rrugës pranë Liqenit. Aty ku mbaron seria e pallateve (ku ndodhen disa lokale), makina kthehet me shpejtësi skëterrë duke xhiruar gomat në asfalt dhe tenton të marrë rrugën paralele me “Petro Ninin”, pra aty ku ndodhet një derë e pasme e repartit ushtarak të zonës. (Ata që e njohin Tiranën besoj më kuptojnë). Si rezultat i shpejtësisë së lartë, makina nuk mundi të mbajë drejtimin dhe godet gjithë rreshtin e makinave të parkuara pranë trotuarit anës lokaleve të atyshëm. Makinat e parkuara, në efekt domino, filluan të godasin njëra-tjetrën. U përfshinë në aksident katër ose pesë makina të parkuara. Përplasja e dy makinave të fundit, aksidenton një fëmijë nga ata që shesin me tezga ambulante. Ishte një fëmijë as 10/11 vjeç, me një pamje engjëlli, i dobët, i paushqyer, i verdhë, por me ca sy të bukur, të vuajtur. Ai i shkreti tentoi t’i shpëtonte makinës vrastare, duke u hedhur me shpejtësi nga rruga në trotuar. Por makinat që u ngjeshën njëra pas tjetrës, i zunë këmbën dhe ai ngeli mes dy makinave të ngjitura nga përplasja. Të thirrurat e tij nga dhimbja i kam akoma në veshë. Nga makina që shkaktoi aksidentin doli një vajzë (ishte në timon) dhe tre djem. Dikush lajmëroi policinë dhe policia erdhi për 10 minuta a 15 minuta. Gjatë kësaj kohe, tentova të ndihmoj atë vogëlushin e plagosur që kishte mbetur mes dy makinave dhe thërriste: “O mami, këmba...!”.
Vetë nuk kisha makinë, isha thjesht duke kaluar aty më këmbë. Një varg i gjatë makinash u krijuan në zonë (ca nga kureshtja për të parë skenën e aksidentit dhe ca sepse rruga u ngushtua goxha nga makina përplasëse që shkaktoi aksidentin). Por megjithëse ishin dhjetëra makina, askush nuk pranonte lutjen time që të çonim në spital atë djalin e vogël që klithte nga dhimbjet. I shkreti, edhe në atë bela që e kishte gjetur, më lutej që të mblidhja çikërrimat e tezgës së tij që ishin përhapur në asfalt. Iu lutesha atyre që kishin ndalur me makina aty: “Ju lutem, ta dërgojmë këtë djalin në spital se gjynah!”. Njëri më thoshte: “Kam punë tani...”, tjetri: “Ik e na lër rehat…!”, një tjetër më tha “Më bëhet pis me gjak makina”, një i tretë, gjente fuqinë dhe qeshte me mua që përpiqesha të mbaja në duar atë vogëlushin që i varej këmba si e këputur. E tmerrshme nuk ju duket?! Ai vocërraku mundi të dërgohej në spital, vetëm kur erdhi një nga të afërmit e tij. Si vallë mund të jemi kaq çnjerëzorë?!