E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministeriali i NATO-s Haxhinasto ne Berlin

Zv.Kryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto mori pjesë në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, i cili u zhvillua në Berlin, Gjermani. Në takim morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s.

Të pranishëm ishin edhe ministrat e Jashtëm të Rusisë, Ukrainës dhe vendeve që janë të angazhuara në Afganistan dhe Libi, si: Australia, Suedia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Katari, Korea e Jugut, etj. Këtë aktivitet e përshëndeti Kancelaria gjermane Angela Merkel.
Një nga temat qendrore të punimeve të këtij Ministeriali ishte ajo mbi zhvillimet në Libi dhe përgjigja e komunitetit ndërkombëtar ndaj kësaj çështjeje. Për situatën në Libi, Shqipëria kërkon zbatimin e plotë të rezolutave 1970 dhe 1973 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendimeve të Konferencës së Londrës mbi Libinë, dhe mbështet operacionin “Unified Protector”. Shqipëria ka ofruar tashmë portet dhe aeroportet shqiptare si për operacione ushtarake ashtu edhe ato humanitare.

Po ashtu, Shqipëria do të ndihmojë edhe në drejtim të ndihmës dhe asistencës humanitare për popullin libian. Gjate diskutimit mbi çarmatimin, mospërhapjen e armëve dhe pranisë ushtarake, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Haxhinasto theksoi se prezenca ushtarake e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Evropë, duke përfshirë aspektet konvencionale dhe ato bërthamore, ka një rëndësi të veçantë për sigurinë në këtë kontinent e përtej tij. Në këtë kuadër, tha z. Haxhinasto, ne përshëndesim vendimin e Presidentit Obama për ruajtjen e pranisë ushtarake amerikane në Evropë. Bashkëpunimi i NATO-s me vende apo organizata partnere mbetet i një rëndësie të veçantë për të përballuar sfidat e sigurisë për shekullin e 21-të. Z. Haxhinasto tha në takim se zhvillimet në Libi vetëm e konfirmojnë këtë domosdoshmëri. Ai theksoi rendësinë e partneriteteve të reja të Aleancës.

Si një vend që aspiron të marrë së shpejti statusin kandidat, Shqipëria vlerëson rëndësinë e veçantë që ka partneriteti strategjik midis NATO-s dhe BE-së, - u shpreh z. Haxhinasto. BE mbetet një partner unik dhe esencial për Aleancën. Po ashtu, ai nënvizoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dhe partneriteteve edhe me vendet e tjera, duke vendosur një theks të veçantë mbi vendet e Ballkanit. Gjatë takimit të Këshillit të Atlantikut të Veriut me vendet kontribuese në operacionin ISAF në Afganistan, Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto përshëndeti fillimin e procesit të tranzicionit, theksoi rëndësinë e mbështetjes së Misionit të Sundimit të Ligjit dhe rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për suksesin e operacionit ISAF në Afganistan. Shqipëria është e bindur se krijimi i kapaciteteve kualifikuese mbetet një element i rëndësishëm i tranzicionit në Afganistan dhe për këtë vendi ynë do të kontribuojë me oficerë për trajnimin e policisë dhe ushtrisë afgane. Ky kontribut do të vazhdojë dhe do të shihet mundësia e shtimit të tij në të ardhmen.
Gjatë punimeve të Komisionit NATO-Gjeorgji, z. Haxhinasto ritheksoi mbështetjen për aspiratat integruese të Gjeorgjisë në NATO dhe integritetin territorial të vendit, si dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e deritanishëm të Gjeorgjisë dhe Ukrainës në operacionet e Aleancës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›