E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrat demokratë që largohen dhe ata që mbeten në qeverinë e re



Firmosja e marrëveshjes së bashkëpunimit me LSI-në dhe dhënia e disa portofolave të rëndësishëm ministrorë aleatit të ri e detyrojnë kryeministrin Berisha të bëjë lëvizje thelbësore të ministrave demokratë. Burimet nga PD-ja flasim për largimin e disa prej ministrave kyçë dhe figurave të suksesshme të PD-së, por gjithashtu flitet për afrimin e emrave të rinj. Ndërsa një pjesë tjetër e ministrave aktualë vazhdojnë të mbeten në pikëpyetje nëse do të largohen ose nëse do të vazhdojnë të qëndrojnë në qeverinë e re. Por firmosja e marrëveshjeve të bashkëpunimit edhe me partitë e tjera aleate do të zbardhë skemën e plotë të qeverisë.
Ndryshimet
Deri në çastin e fundit burimet nga Partia Demokratike citonin emrin e Genc Pollos për të drejtuar një nga ministritë më të rëndësishme të kabinetit qeveritar, siç është ai i Mbrojtjes. Por në minutat e fundit burimet bënë të ditur se në këtë dikaster kryeministri Berisha pritet të emërojë ministrin aktual të Ekonomisë, Genc Rulin. Për shkak se Ministria e Ekonomisë i kaloi LSI-së, Ruli mbetet në qeverinë e re, por largohet nga Ekonomia dhe shkon te Ministria e Mbrojtjes. Ndërsa largohet përfundimisht nga qeveria ministri aktual i mbrojtjes, Gazmend Oketa.
Burimet nga Partia Demokratike bëjnë të ditur gjithashtu largimin e mundshëm të ministrit aktual të Brendshëm, Bujar Nishani. Sipas tyre, në vend të Nishanit në Ministrinë e Brendshme pritet të emërohet ministri aktual i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha. Për shkak se një prej ministrive më të rëndësishme, siç është ajo e Punëve të Jashtme, i kalon LSI-së, Basha largohet nga ky dikaster dhe pritet të marrë Ministrinë e Brendshme, e cila gjithashtu është një prej dikastereve të rëndësishme. Megjithatë, burimet citojnë mundësinë që në këtë dikaster të emërohet kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Në rast se Patozi merr post qeveritar, atëherë Basha bëhet kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së dhe merr postin e nënkryetarit të PD-së, pra shpërblehet me poste në Partinë Demokratike.
Enkelejd Alibeaj shënon një tjetër largim nga qeveria. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se në vend të Alibeajt në Ministrinë e Drejtësisë ka shumë mundësi të emërohet një prej zëvendësministrave aktualë të këtij dikasteri.
Ministrat aktualë që pritet të mbajnë postet, sipas burimeve, janë Ridvan Bode në postin e ministrit të Financave, Majlinda Bregu në postin e ministres së Integrimit dhe Sokol Olldashi në postin e ministrit të Transporteve. Ndërkaq, burimet bëjnë të ditur se vazhdojnë bisedimet për postet e tjera, si ai i Bujqësisë, Mjedisit e Kulturës, të cilat janë dhe pjesë e negociatave me partitë aleate të PD-së, si PR, PDI dhe PBDNJ.

3 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›