E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lakrori: “Në zgjedhje hyj me platformë konkurruese”

Kandidati për kreun e PS-së: “Kandidimi im, jo për ti bërë nder Edi Ramës”

Shaban Sulçe
Kandidati për kryetarin e Partisë Socialiste, Maqo Lakrori, nuk e konsideron futjen në garën për kreun e selisë rozë si një aventurë, por si një veprim të ndërgjegjshëm që i shërben më së miri Partisë Socialiste, por edhe vendit. Lakrori deklaron se futet në garë me një platformë të kompletuar, për të cilën shpreh bindjen dhe besimin se do të votohet dhe do të mbështetet nga ana e anëtarësisë socialiste. Në një intervistë për gazetën “Albania”, kandidati për kreun e PS-së thekson se platforma e tij konkurruese parashikon drejtimin e partisë jo mbi bazën e kultit të individit.

Zoti Lakrori, cilat ishin arsyet që ju shtynë të kandidonit në garën për kreun e Partisë Socialiste?

Partia Socialiste dhe unë jemi miq të vjetër e besnikë që në krijimin e saj. Nuk jemi ndarë asnjëherë, madje as në ditët më të vështira. Në Kongresin e 29 gushtit paraqita një projekt politik, thënë ndryshe, një platformë, duke menduar që në të ta gjejnë veten sa më shumë socialistë të hershëm dhe të rinj, madje sa më shumë shqiptarë, me të cilët ndajmë së bashku aspiratën për një jetë më të mirë për çdo njeri dhe për integrimin e popullit e të kombit tonë me Perëndimin demokratik. Detyrën e kryetarit të partisë e vlerësoj si një prej mundësive institucionale për zbatimin e këtij projekti.

Cilat janë pikat kryesore të platformës suaj konkurruese?

Platforma përfshin disa përmirësime themelore në Statut, në program dhe në veprimin politik të PS-së. Përmirësimet në Statut synojnë garantimin e funksionimit të brendshëm demokratik të partisë, duke përfshirë edhe drejtimin kolegjial, punën në ekip dhe ndërtimin e një partie të fortë në vend të një partie që drejtohet me “dorë të fortë”. Përmirësimet në programin themelor të partisë synojnë rishikimin e të gjitha çështjeve dhe riformulimin e zgjidhjeve me vizionin e një partie të majtë demokratike, e cila vepron në një shtet anëtar të NATO-s dhe së shpejti edhe kandidat për në BE. Pjesë integrale e platformës është edhe përqendrimi i veprimit politik në qeverisjen qendrore dhe vendore dhe bashkimi i së majtës demokratike shqiptare, që mundëson dhe fiton zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet vendore 2011.

Si e shikoni kandidimin përballë Edi Ramës: si konkurrim platformash, apo eksperiencash politike?
Është njëherësh konkurrim platformash dhe eksperiencash politike. Secili prej nesh paraqiti në Kongresin e 29 gushtit platformën e vet. Secili prej nesh ka edhe eksperiencën e vet jetësore politike.

A nuk ju duket aventurë ky kandidim, duke qenë se Rama konsiderohet nga të gjithë si fituesi i zgjedhjeve për kreun e PS-së?

As që bëhet fjalë për aventurë, por për një veprim krejtësisht të ndërgjegjshëm e të menduar mirë, të cilin unë e kryej në shërbim të Partisë Socialiste dhe të vendit tim. Se kush fiton, këtë do ta vendosin anëtarët e partisë, që do të votojnë më 26 shtator, pasi të kenë krahasuar platformat dhe parametrat e kandidatëve.

A e shihni këtë garë si të paragjykuar?
Individë të caktuar edhe mund ta paragjykojnë. Është e drejta e tyre që ta mendojnë kështu dhe të shprehin lirisht atë që mendojnë. Megjithatë, unë do t’i ftoja miqësisht që të analizonin platformat dhe të bënin vlerësime bazuar në argumente.

Si e shikoni tërheqjen nga kandidimi të Blushit dhe të Malajt?
Do të kisha dashur që Blushi dhe Malaj të ishin pjesëmarrës në këtë konkurrim. Ne kemi një betejë të përbashkët emancipuese, e cila ka nevojë për kontributet e secilit prej nesh.

Kritikët ju akuzojnë se po i bëni një nder shumë të madh Edi Ramës. Komenti juaj...
Nuk kam as më të voglën arsye që t’i bëj ndonjë nder Edi Ramës, por kam të gjitha arsyet që të jap kontributin tim për mbarëvajtjen e Partisë Socialiste. Unë jam i qëndrueshëm në përkushtimin tim. Miqtë e mi të shumtë socialistë dhe dashamirësit e tjerë kudo në Shqipëri e dinë mirë këtë.

A besoni se do të zgjidheni kryetar i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 26 shtatorit?
Kjo garë nuk është thjesht ndërmjet dy individëve, por shumë më tepër se kaq. Unë jam futur në të me një platformë të plotë reformuese dhe me besim të plotë se ajo do të votohet nga shumica e anëtarëve të Partisë Socialiste dhe se do të mbështetet nga shumica e opinionit publik.

3 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›