E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e BE apel Shqipërisë: Zgjidhni krizën

Në deklaratën e tyre, ministrat e BE-së i bëjnë edhe një herë apel Partisë Socialiste që të kthehet në Kuvend, duke i dhënë fund bojkotit.

“Stabiliteti politik është i rëndësishëm dhe po ashtu dhe konsolidimi i institucioneve demokratike. Ekziston një proces i cili duhet ndjekur e kritere qe duhen përmbushur, ndaj negociatat do te ndiqen deri ne fund", thekoi ministri portugez për çështje evropiane, Pedro Lourtie. Ndërsa ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zbogar tha se “para së gjithash, të gjithë ne shpresojmë që situata politike në Shqipëri të kthehet në vendin e duhur, që opozita të hyjë në Parlament.

“E kuptoj që presidenti po drejton bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje dhe shpresojmë që ai ta gjejë zgjidhjen, sepse kjo do të ishte në të mirë të vetë Shqipërisë në radhë të parë, për sa i takon statusit kandidat. Ne shpresojmë që të punojmë së shpejti mbi këtë aplikim në Këshillin e Ministrave të Jashtëm. Shqipëria tani po përgatitet ndaj pyetësorit. Pas kësaj çështja i kthehet Komisionit, i cili merr ca kohë për përgatitjen e opinionit. Gjatë kësaj kohe të gjitha problemet në Shqipëri shpresoj të jenë zgjidhur”, është shprehur ai.

Ministri suedez i Punëve të Jashtme, Carl Bildt tha se “kjo është çështje e brendshme e Shqipërisë, por na vjen keq dhe i kërkojmë opozitës të kthehet në Kuvend dhe që për këtë të ketë një dialog që ta zgjidhë këtë çështje në veçanti. E sigurisht që shpresoj se situata aktuale të zgjidhet shumë më përpara opinionit të Komisionit për Shqipërinë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›