E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Sporteve padit dhunuesin e gjyqtarit në Ersekë

Pra, atë që nuk e bëri vetë gjyqtari i dhunuar dhe Policia e Shtetit në ndeshjen Gramozi-Vllaznia, e bën Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ministri Xhaferri ka ngritur një padi penale në Prokurorinë e Korçës për masazhatorin e Gramozit, Altin Hodo, aktori kryesor i dhunës në Ersekë (bazuar në nenin 237 të Kodit Penal, që thotë: “Goditja që i bëhet punonjësit që kryen detyrën shtetërore apo një shërbim publik, dënohet deri në tre vjet burg”). Gjithashtu ai ka kërkuar nga FSHF-ja të dënojë ashpër edhe personat publikë që bëhen pjesë e këtij fenomeni të shëmtuar.

Pas një takimi me ministrin Xhaferri, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka deklaruar se institucioni që ai drejton do të përgatisë një draft–ligj për të forcuar dënimet ndaj akteve dhe aktorëve të dhunës në sport. “Ne po bëjmë një propozim me një draft-ligj për të eleminuar aktet e dhunës nga njerëz që tentojnë të hyjnë në fushat e futbollit. Rasti konkret do ketë një dënim maksimal nga organet e FSHF-së”, theksoi Duka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›