E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mos i hani gënjeshtrat e politikës së vjetër"

Kryetari i Partisë Socialiste, i shoqëruar nga drejtues të lartë të kësaj partie, zhvilloi dje një takim me banorë të qytetit të Peshkopisë. "Nga kjo sallë, dua t‘i them Sali Berishës, se një djalë është duke luftuar me vdekjen në spitalin e Peshkopisë, në pritje të mjekut anestezist nga Tirana", tha Rama. Sipas tij, kjo është Shqipëria e Sali Berishës, një Shqipëri që ne nuk e duam. Duke folur për "Dialogun me Shqipërinë" Rama u shpreh se është një mësim i madh për të kuptuar sa e vështirë është jeta e njerëzve në gjithë vendin dhe mbi të gjitha për të kuptuar se sa e gabuar ka qenë dhe është politika e vjetër e së shkuarës. "Gënjeshtrat duhet të marrin fund, për t‘i hapur rrugë një marrëdhënieje të re, për të cilën nevojitet një bashkim i madh i shqiptarëve përtej kufijve të partive politike", theksoi Rama. Ai këmbënguli se politika e vjetër e së shkuarës ka ardhur këtu, ka shkuar kudo, kryesisht për fushata elektorale dhe gjithë kohën me një armë në dorë, armën e përçarjes, armën e dasisë, akuzave, shpifjeve, sharjeve për kundërshtarët. "Ne kemi përgjegjësinë e patjetërsueshme që historia të mos përsëritet", u angazhua kreu i socialistëve. Është koha jonë në krye të të gjithave, si shqiptare e shqiptarë që duam dhe që meritojmë një Shqipëri më të mirë, tha ai, të bashkohemi në partinë e madhe të fuqisë së ndryshimit. "Asnjë qytetar i thjeshtë i Peshkopisë, asnjë qytetar i thjeshtë i gjithë Dibrës, i gjithë Shqipërisë, në çfarëdo partie qoftë, nuk është kundërshtari ynë, por është bashkëqytetari ynë në të njëjtin hall, sepse kur nuk ka drita, nuk ka as për socialistin dhe demokratin e thjeshtë, por ka vetëm për Sali Berishën dhe ministrat e tij", vlerësoi Rama. Thojuani të gjithëve, tha kreu i opozitës, se është koha për t‘i lënë dasitë e së shkuarës, është koha për të mos i ngrënë më gënjeshtrat e politikës së vjetër, për të mos e pranuar më përçarjen që politika e vjetër fut mes nesh. Kreu i PS-së, në këtë takim, është shprehur i bindur se sfida më e madhe që ka PS-ja është beteja me papunësinë, varfërinë e korrupsionin. Betejë, që PS-ja do të dijë të dalë fitimtare me një program që po shkruhet nga njerëzit dhe për njerëzit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›