Gjiknuri: Kodi i ri, ja si do të numërohen votat
Socialistët preferuan dje t‘i kthejnë përgjigje kreut të LSI-së, Ilir Meta, përmes zëvendëssekretarit për Çështjet Ligjore, Damian Gjiknuri. Sipas tij, ditët e fundit ka pasur spekulime apo keqinterpretime në lidhje me disa aspekte të projekt Kodit Zgjedhor, sidomos ato që kanë të bëjnë me numërimin e votës, komisionet apo formulat e ndarjes së mandateve midis subjekteve zgjedhore. "Disa aktorë politikë e kanë paraqitur problemin me doza politike negative, deri në akuza se procesi zgjedhor po monopolizohet nga dy partitë e mëdha për të vjedhur apo abuzuar me votat e shqiptarëve", u shpreh Gjiknuri. Ai shtoi se, për sa i përket numërimit të votave, nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me pretendimin se votat i numëron PD-PS. Sipas tij, në dispozitat ligjore të miratuara në komision është përcaktuar qartë metodologjia, përbërja e grupeve të NV dhe procesi i numërimit. "Grupet e numërimit do të jenë nga 5-10 për çdo ZAZ. Grupet do të përbëhen nga katër persona dhe ku vetëm dy i përkasin PD/PS dhe ku dy të tjerë do të caktohen me short nga përfaqësuesit e partive të mazhorancës dhe opozitës", sqaroi ai. Pra, vijoi ai, çdo tavolinë numërimi do të jetë e mbikëqyrur nga një kamera me rezolucion të lartë, e cila në kohë reale do të transmetojë procesin e numërimit dhe fletën votimit në ekran.