Socialistët evropianë, Shultz: Meta të përfaqësohet në komisione
Partia Socialiste Evropiane vendos të luajë rolin e ndërmjetësit mes kreut të LSI-së, Ilir Meta, dhe Parlamentit Evropian. Presidenti i grupit parlamentar socialist, Martin Shultz, deklaroi dje se po negocion një takim midis Metës dhe komisionerit për zgjerimin, Oli Rehn. Në një intervistë televizive, ai vlerësoi se ligji zgjedhor është i vështirë, por edhe më i vështirë është fakti që në organet e shtetit, që do të vëzhgojnë dhe përgatisin zhvillimin e zgjedhjeve, nuk janë të përfaqësuara të gjitha partitë që dalin në zgjedhje. "Dhe një nga partitë është ajo e mikut tim, Ilir Meta, dhe ky është dukshëm qëllimi i Berishës dhe Edi Ramës, që ai duhet të përjashtohet nga kjo strukturë e vëzhgimit dhe nga kjo strukturë e përgatitjes së zgjedhjeve", theksoi Shultz. Sipas tij, kjo është e papranueshme dhe duhet të ndiqet me shumë kujdes ajo që po ndodh në Shqipëri. "Unë i tregova z.Rehn për frikën time dhe për shqetësimin tim mbi situatën në Shqipëri e zhvillimet atje. Ai pranoi që të flasë me Ilir Metën dhe që të bisedojë sigurisht edhe me qeverinë, me Parlamentin dhe me parti të tjera", vlerësoi ai. Shultz këmbënguli se këto zgjedhje janë thelbësore për zhvillimet e ardhshme të demokracisë në Shqipëri. Një pikë shumë e rëndësishme është që, në përgatitjen e këtyre zgjedhjeve kaq të rëndësishme, duhen integruar të gjithë përfaqësuesit e votuesve. "Përpjekjet për përjashtimin e dikujt krijojnë një atmosferë mosbesimi dhe kjo është ekzaktësisht e kundërta e asaj që ka nevojë Shqipëria. Ajo që ka nevojë Shqipëria është më shumë bashkëpunim, më shumë besim, besim i përbashkët dhe jo për mosbesim dhe përjashtime", shtoi ai. Sipas Shultz, partia e Edi Ramës është anëtare e Internacionales Socialiste dhe ka kontakte të ngushta me partinë e tij dhe me të. "Ndërsa Ilir Meta është një mik politik që prej një kohe të gjatë. Unë mendoj se kemi nevojë për një të majtë të bashkuar në Shqipëri. Mesazhi im për Edi Ramën dhe për Ilirin është që duhet të bashkëpunoni, pasi mendoj se ka një nevojë të madhe për bashkëpunim dhe për të majtë të bashkuar dhe që të gjitha partitë duhet të marrin parasysh se një e majtë e përçarë është gjithnjë një avantazh për të djathtët", nënvizoi Shultz. I pyetur për paralajmërimin e ish-kryeministrit Meta në lidhje me grevën e urisë, presidenti i grupit parlamentar socialist në PE, konstatoi se kjo është sigurisht gjë e keqe. "Unë mendoj se ne duhet të bëjmë çfarë të mundemi për të shmangur masa të tilla", u shpreh Shultz. Ai u bëri thirrje të gjitha partive të përfshira, Kryeministrit, Presidentit, liderëve të partive dhe veçanërisht mikut Edi Rama se "duhet të përpiqeni të integroni këdo në procesin e demokratizimit dhe jo të përjashtoni dhe të provokoni njerëzit". Sakaq, burimet nga Lëvizja Socialiste për Integrim thanë "Shqip" se ka rrezik që greva e urisë të fillojë që sot. Sipas burimeve, po sot do të diskutohen kapitujt e fundit në kuadër të Reformës Zgjedhore dhe shqyrtimi i amendamenteve "Ndoka". Si rregull, duhet që gjithçka të kalojë në Komisionin e Çështjeve Ligjore dhe më pas të mblidhet Konferenca e Kryetarëve për të caktuar datën e votimit. Nëse ndodh që këto procedura të tejkalohen dhe kodi të kalojë për votim në seancën e pasdites, pritet që edhe grevistët të ngujohen në sallën e Kuvendit. Burimet sqaruan se të gatshëm për të hyrë në grevë janë gjithsej 11 deputetë dhe jo vetëm nëntë që i dërguan letër kreut të shtetit.