Ministrat e Brendshëm të Ballkanit, letër PE-së: Liberalizoni vizat për Shqipërinë
Ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Forumit të Salzburgut dhe të Ballkanit Perëndimor iu drejtuan me një letër Këshillit të Evropës, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian ku kërkohet liberalizimi pa vonesa i vizave me Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën, duke vlerësuar përmbushjen nga ana e këtyre dy vendeve të kritereve të udhërrëfyesit. Nënshkruesit shprehën në këtë letër angazhimin dhe mbështetjen e tyre të plotë për kryerjen pa vonesë të të gjitha procedurave dhe shmangien e barrierave administrative në mënyrë që qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës të përfitojnë sa më shpejt nga liberalizimi i vizave. Letra e tyre u hartua pas pjesëmarrjes në konferencën e ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të Forumit të Salzburgut dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me temë Dialogu ndërkulturor dhe siguria e brendshme që u zhvillua në datat 28-29 prill 2010 në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës. Pjesë e kësaj konference ishte dhe zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka. Ai kryesoi një nga katër pjesët tematike të konferencës me temë Dialogu ndërkulturor si një instrument kundër radikalizimit dhe rekrutimit, ku midis të tjerash vuri theksin në harmoninë ndërfetare në Shqipëri. Në këtë konferencë ministrat adoptuan një deklaratë të përbashkët ku theksohej rëndësia e dialogut ndërkulturor në vendosjen e lirisë, barazisë dhe sigurisë. Synimi i përbashkët, integrimi i suksesshëm, i cili ndryshe nga asimilimi sjell stabilitet në rajon dhe mund të arrihet duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Zhvillimi i vlerave demokratike dhe promovimi i dialogut ndërkulturor janë disa nga prioritetet kryesore të Programit të Stokholmit.