Ministrat e NATO-s flasin për Kosovën dhe grinden për Afganistanin
26 ministrat e Mbrojtjes të NATO-s dhe të vendeve të trupës shumëkombëshe në Afganistan janë mbledhur në Vilnius për të bërë bilancin e angazhimit tetëvjeçar në Afganistan dhe përcaktimin e strategjisë së ardhshme. Sipas diplomatëve të NATO-s, nga takimi nuk pritet zgjerimi i operacionit, megjithëse shumë ushtarakë e synojnë këtë. Por edhe fundi i misionit nuk dihet. Trysnia ndaj Gjermanisë dhe aleatëve të tjerë në NATO për shtimin e trupave pa kufizim të vendit të stacionimit po rritet. Ministri afgan i Mbrojtjes, Abdul Rahim Vardak, para takimit me ministrat e Brendshëm të NATO-s u shpreh se në vendin e tij nevojiten më shumë ushtarë për të luftuar islamistët dhe talibanët radikalistë. Udhëheqja e NATO-s bën fjalë për 7500 ushtarë, që duhet t'u bashkëngjiten 43 mijë ushtarëve të dislokuar në Afganistan. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Shefer, tha: “Kemi nevojë për më shumë trupa në Afganistan. Për këtë normalisht nuk flasim publikisht. Këtë mund ta përsëris edhe një herë”. Ditët e fundit, politikanët kanadezë dhe amerikanë kanë kërkuar më shumë trupa nga Gjermania për t'i dërguar në jug. Qeveria gjermane nuk e ka pranuar këtë kërkesë. Ministri i Mbrojtjes, Jung, do të dërgojë vetëm 250 ushtarë të trupave të ndërhyrjes së shpejtë për të zëvendësuar kontigjentin norvegjez në veri. Jung shprehet: ”Ne e kemi biseduar këtë ndarje rajonale me NATO-n, e cila, sipas mendimit tim, është mjaft e mençur. Ju e dini që ne me dislokimin e 4000 trupave në Afganistan e përmbushim detyrën tonë”. Britanikët, danezët dhe hollandezët kanë pasur më shumë humbje në trupa. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e kupton situatën në të cilën ndodhet Gjermania. Në koalicionin e madh kristiandemokrat dhe socialdemokrat nuk mund të gjejë mbështetje ideja e trupave luftarake në jug. "Mendoj se gjermanët bëjnë një punë shumë të mirë në Afganistan. Unë jam realist. E di që Bundestagu do t'i ruajë disa kufizime. Natyrisht që unë dëshiroj të ketë më shumë mobilitet tek aleatët”. Trupa shumëkombëshe do të qëndrojë edhe disa vjet në Afganistan. Edhe një herë, ministrat e Mbrojtjes do të vendosin për të modernizuar ushtrinë afgane në mënyrë që ajo të marrë përsipër më shumë detyra. Detyra tjetër që qëndron përpara është përmirësimi i bashkëpunimit me organizatat humanitare, Kombet e Bashkuara dhe BE-në për të çuar përpara rindërtimin e Afganistanit, përmirësimin e sistemit arsimor dhe ngritjen e institucioneve shtetërore.
8 Shkurt 2008