OSBE-ja bojkoton zgjedhjet ruse
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, thotë se nuk do të dërgojë vëzhgues për zgjedhjet presidenciale në Rusi. Arsyeja për këtë janë kufizimet që ka vendosur Kremlini. Kreu i misionit vëzhgues të OSBE-së, Kristian Strohal, tha se kufizimet ishin të dyfishta. "Njëri ka nisur shumë kohë më parë, duke mos lejuar fazën e parë të metodologjisë sonë, që është dërgimi i një misioni për vlerësimin e nevojave për të përcaktuar përfshirjen tonë”, - tha zyrtari i OSBE-së. Kufizimet e dyta, tha ai, kanë të bëjnë me 'numrin e vëzhguesve dhe kohën e pranisë së tyre në terren'. Zyrtari i OSBE-së tha se kufizimet në të dy rastet ishin shumë të ashpra. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Rusisë tha se vendimi i OSBE-së ishte i papranueshëm. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se asnjë vend që respektonte veten nuk do të përkulej para ultimatumeve. "Vendet që respektojnë veten nuk pranojnë ultimatume", - tha ai. Por zyrtari i OSBE-së tha se organizmi nuk i kishte dhënë asnjë ultimatum Kremlinit. "Ne nuk po bëjmë asgjë të kësaj natyre", - tha Strohal. "Vetëm po përpiqemi të bëjmë punë profesionale, siç e kërkon mandati ynë".
8 Shkurt 2008