Ministrat e Prishtinës nuk i pret Edvini - vijon makthi ndaj Rrugës së Shqiptarëve

Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, e hershmja e “politikës së re” Valentina Leskaj ka pritur dje tre ministrat e qeverisë së Kosovës, duke iu deklaruar atyre se Edi Rama nuk i ka inat e se ai s’ka ndonjë inat personal me Rrugën Durrës-Prishtinë
TIRANE - Lidershipi i Partisë Socialiste detyrohet që të gëlltisë atë që ka pështyrë për 2 vite me radhë. Ndryshe nga deri disa javë më parë, kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj ka folur dje me superlativa për rrugën Durrës-Kukës, veprën madhor që po ndërton qeveria aktuale e për të cilën është sulmuar dhe stigmatizuar për muaj me radhë nga selia rozë.
Pas takimit që zhvilloi në ambientet e selisë rozë me 3 ministrat e qeverisë së Kosovës, përkatësisht, Fatmir Limaj Ministër i Transporteve, Ahmet Shala Ministër i Ekonomisë dhe Financave, Lutfi Zhargu Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, si dhe ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula, Leskaj ka shprehu madje zellin e PS-së për ta përfunduar vetë këtë rrugë nëse do i jepet mundësia
Megjithatë tej deklaratave të Leskajt që krijojnë një realitet virtual, PS është ende mjaft larg Kosovës.
Kryesocialisti Edi Rama ka rinisur për të disatën herë turin e tij anembanë Shqipërisë, madje ditët e fundit ka vizituar qytetet kryesore në veri të venjdit e megjithatë nuk ka guxuar që të vizitojë segmentin Rrëshen-Kalimash, aty ku është kryer edhe volumi më i madh i punimeve të kësaj vepre madhore. E ndërsa opozita premton se gjërat në raport me këtë çështje kanë ndryshuar, qeveria Berisha nuk po humb asnjë ditë kohë për të jetësuar në praktikë forcimin e lidhje tashmë jo vetëm shpirtërore. Kështu qeveria ka marrë menjëherë në shqyrtim kërkesën zyrtare të Prishtinës për marrjen në përdorim të portit të Shëngjinit.
Këshilltarja e kryeministrit Berisha për Ekonominë, Suzana Guxholli, u shpreh dje se kërkesa e qeverisë Thaçi ka parimisht aprovimin e Tiranës, ndërsa për detajet do të ngrihet një grup ministror i cili do të bashkërendojë punën me grupin nga Kosova.
“Në këtë rast kuptohet se përgjigja e qeverisë tonë ishte ‘po’ sepse gjithmonë i është referuar këtij vendi si port i cili do të forcojë lidhjen me Kosovën dhe do të ndihmojë Kosovën nga pikëpamja ekonomike, për të rritur dhe fuqizuar transportin detar dhe tokësor të saj. Grupi do të diskutoje problemin në parim, do të shqyrtoje anën ekonomike, ambientale, etj, pastaj do kalohet ne propozimin konkret”, u shpreh dje Guxholli.