E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet e Kartës A3+2 nënshkruajnë deklaratën e bashkëpunimit për integrimin në NATO

TIRANE - Parlamentarët e 5 vendeve të Kartës së Adriatikut A3+2, nga Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina nënshkruan dje një deklaratë të përbashkët ku angazhohen të zhvillojnë dhe të konsolidojnë vlerat euroatlantike të kësaj organizate.
Në mbyllje të punimeve të Konferencës dyditore “Integrimi Euroatlantik dhe sfidat e sigurisë për vendet e Ballkanit Perëndimor”, kryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë, Leonard Demi, duke bërë konkluzionet e këtij takimi, shprehu kënaqësinë që Kartës së Adriatikut i janë shtuar dhe dy vende, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina, të cilat aspirojnë të anëtarësohen në NATO.
“Si parlamentarë ne angazhohemi që të mbështesim fort politikën euroatlantike të vendeve tona dhe të ndikojmë në parlamentet dhe qeveritë respektive që të realizojmë sa më shpejt reformat e nevojshme për integrim në NATO”, u shpreh deputeti Demi.        
Ai tha se pas mbylljes së procesit të ratifikimit të Protokollit të NATO-s nga vendet anëtare të kësaj organizate se Shqipëria është e gatshme për t’u bërë anëtare e Aleancës në Samitin e prillit.
Qëllimi i kësaj Konference ishte shprehja e vendosmërisë së vendeve të Kartës së Adriatikut, për thellimin e bashkëpunimit në zbatimin e reformave në fushat politike, të mbrojtjes, të të drejtave të njeriut, sigurisë, ekonomisë, për integrimin në NATO.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›