Pango: “Marubi” mos të largohet, thjeshtë të paguajë qeranë
Ministri Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango u shpreh në një konferencë për shtyp sot mbi konfliktin më të nxehtë kulturor të Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, se "problemi gjen zgjidhje vetëm duke zbatuar detyrimet ligjore”. Ministri TKRS-ës u shpreh se, “Akademia ‘Marubi’, nuk ka pse të largohet nga ambjentet që përfiton në ish-Kinostudio, por duhet të paguajë qeranë për godinën me sipërfaqe funksionale prej 1822 metra katrorë, jashtë 200 metrave, të cilat vite më parë janë falur për këtë subjekt". Ministri Pango cilësoi se, “Rektori i kësaj shkolle refuzon të paguajë qeranë, madje dhe të lëshojë ambjentet e tjera, me të cilat ai ka abuzuar, duke zënë një sipërfaqe rreth 4000 metra katrorë”. Subjekti privat nuk ka paguar asnjëherë asnjë detyrim ndaj shtetit për periudhën e përdorimit të këtyre ambjenteve nga data 4 shkurt 2005, deri në 1 shkurt 2009. Përveç kësaj, subjekti në fjalë ka uzurpuar edhe 2.924 metra katrorë sipërfaqe jashtë godinës që kërkon t’i përdorë për interes privat. Aktualisht konflikti vazhdon në mjediset e shkollës “Marubi”, me protesta të studentëve të tij.
...