“Vullnetarët” e Edi Ramës, “punëtorët e papaguar”, që zëvendësojnw anëtarësinë e PS-ës
Termi “vullnetar”, e thënë ndryshe “punëtor i papaguar”, i përdorur për herë të parë pas vitit 1990 nga Erjon Veliaj, kur ai karikonte çunat e “Mjaft”-it apo të G 99-ës në daljet e tyre në protesta të tipit me bidonë uji, apo çizme, por jo me oturakë, po rigjen një përhapje edhe më të madhe kohët e fundit, nga huazimi që i ka bërë kryetari i PS-ës, Edi Rama, në turin e tij më të fundit nëpër Shqipëri. Ndërsa në vitet postkomuniste termi “vullnetar”, e thënë ndryshe “punëtor i papaguar”, po tentohet të modernizohet, për atë keqpërdorim që atij i është bërë para vitit 1990, ende sot, për atë që nuk dinë ata tundësit e xhufkave me ngjyrat e ylberit, ky term vazhdon të mbartë një “ngarkesë ët tillë emocionale”, saqë të kujton se autobusët me të rinj që Edi Rama merr me vete, qytet më qytet, nuk po shkojnë për të bërtitur e ulërirë pas shpatullave të kryesocialistit, por po shkojnë të ndërtojnë veprën e radhës me “kontribut vullnetar”, e thënë ndryshe me “punë të papaguar”.
Vlera e kësaj “ngarkese emocionale” që mbart termi “vullnetar”, e thënë ndryshe “punëtor i papaguar”, duket nuk është harruar nga Edi Rama, i cili në kushtet kur anëtarësia e Partisë Socialiste, apo edhe anëtarësia e FRESSH-it, reciprocikisht kanë ndërprerë marrëdhëniet me kreun, ky, kreu, i rikthehet “vullnetarizmit”, e thënë ndryshe “punës së papaguar”, sepse nuk i mblidhen njerëzit për ta dëgjuar, brohoritur (ulëritur), apo duartrokitur.
Një situatë e tillë, nuk ka se si të mos përqaset me “vullnetarizmin”, e thënë ndryshe “punën e papaguar” të para vitit 1990, kur shteti “brekgrisur”, por “demagog”, rrëmbente andej këndej të rinj dhe pasi i hipte nëpër autobusë i dërgonte të ndërtonin “veprat e 5-vjeçarëve”, por pa i paguar.
Për analogji, Partia Socialiste ende sot për demagogji rrëmben andej këndej të rinj, që më të shumtën i sigurojnë nën trysninë e Edi Ramës, krerët lokalë ët PS-ës, dhe në kushte kur anëtarësia dhe mbështetësit i kanë braktisur, i hipin nëpër autobusë, ende edhe pas 18 vjetësh dhe pa i paguar, i lëshojnë nëpër salla, për të ulëritur e bërtitur, por që askush nuk dëgjon.
Dhe kur ajo që Edi Rama tenton ta fshehë, por që sërish vazhdon të duket, më e mira humbja e anëtarësisë së partisë dhe më e keqja shpërfillja e kësaj anëtarësie nga ai vetë, kryesocialisti i mbush mendjen vetes se me “vullnetarët”, e thënë ndryshe “punëtorët e papaguar”, ai mund të zëvendësojë, anëtarësinë apo zgjedhësit e PS-ës.