Njerëzit e Ramës e të Gjinushit po bëjnë lojëra politike me investimet e taksapaguesve

Prefekti i Tiranës mbron vendimin për kthimin mbrapsht të projektbuxhetit të bashkisë së kryeqytetit
TIRANE - Prefekti i Tiranës Ruzhdi Keçi ka reaguar dje ndaj akuzave deklaratave të dy ditëve më parë të nënkryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Petraq Simo, sipas së cilit çështja e projektbuxhetit për vitin 2009 është mbyllur dhe se Prefekti nuk ka të drejtë të ndërhyjë. Zoti Keçi i ka hedhur poshtë këto deklarime duke u shprehur se në vendimin e tij për kthimin mbrapsht të këtij plani financiar ka ndjekur vetëm ligjin dhe se është në pritje të shqyrtimit të vërejtjeve që ia ka përcjellë Këshillit Bashkiak.
“Në kundërshtim me atë që thotë, që shkresa ime dërguar Këshillit është e paprecedentë unë them që kjo letër që nënkryetari i Këshillit i bën prefektit, kjo është e paprecedentë. Ligji për prefektin në nenin 14 thotë ‘kur prefekti konstaton shkelje të aktit me ligjet që i referohet atëherë është e drejta e prefektit ta kthejë për rishqyrtim dhe organi që e ka marrë aktin, konkretisht këshilli bashkiak, duhet ta rishqyrtojë’. Nëse prefekti konstaton se nuk janë marrë fare parasysh vërejtjet e prefektit, atëherë nuk ka të drejtë ta kthejë më, por i drejtohet gjykatës”, deklaroi dje Keçi.
Sipas tij anëtarë të caktuar në Këshillin Bashkiak po e politizojnë këtë çështje ndërkohe që ai vetë ka zbatuar çdo afat dhe të drejtë që i jep ligji.
“Unë do të ndjek ligjin, por nuk e di çfarë do të bëjnë ata në mënyrë të kundraligjshme. Me sa shoh në prononcimet e mia edhe në media nuk besoj se ka sadopak nota politike. Unë shoh që zoti Simo apo të tjerë prodhojnë politikë. Ajo është detyra e tyre. Lista e këshilltarëve është me persona politikë”, tha Keçi.