E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat shpërndahen në qarkun e Shkodrës, inspektojnë zbarkimin e ndihmave

Tiranë, 12 janar
NOA - Kryetari i Komitetit Ndërministror, Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha
dhe anëtarët e tjerë të komitetit janë duke inspektuar kryerjen e detyrave nga
strukturat e angazhuara për përballimin e emergjencës në të gjitha zonat e
prekura nga përmbytja në Qarkun e Shkodrës.

Lajmin e bëri të
ditur ministria e Brendshme sot në mesditë e cila shtoi se Basha ndodhet në
Dajç, ku sipas planifikimit edhe të axhornuar mëngjesin e sotëm janë në proces
e sipër duke u dërguar me helikopterët italianë, 10 tonë ujë, 700 pako ushqimore,
5 tonë koncentrat për bagëtinë, 100 pelerina, 50 çadra dhe 100 çizme.

Në Pentar,
Suka-Dajç, Samrisht dhe te Kthesa Dajç janë stacionuar 4 motobarka të ushtrisë
për shërbim transporti në dispozicion të Komunës Dajç dhe komunave të tjera
fqinje.

Ministri i
Mbrojtjes, Arben Imami ndodhet në Velipojë ku sot po dërgohen 400 pako me
ushqime dhe po kryhet monitorimi për riforcimin e argjinaturës së Reqit nga ana
e Forcave të Armatosura.

Ministri Imami është
shoqëruar sot edhe nga Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota.

Ministri i Punëve
Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi ndodhet në Bushat,
ku sot po dërgohen 400 pako ushqimore, 3 tonë koncentrat për bagëtinë, një
gjenerator për 50 familje dhe do të jetë në dispozicion një lundër me motor.

Ministri i Bujqësisë,
Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli së bashku me Zv/ministrin e
Mbrojtjes, Arjan Starova ndodhen në Gur të Zi ku gjithashtu po vijojnë veprimet
për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe koncetratit për bagëtinë.

Ministri i
Shëndetësisë, Petrit Vasili ndodhet në Bushat, ku vijon shpërndarja e 450
pakove me ushqim dhe tre tonë ujë.

Një kompani prej
40 ushtarësh po kryen punimet në bashkëpunim me strukturat e tjera për
përforcimin e argjinaturës Dajç-Samrisht i Vjetër dhe punimet në kanalin ujitës
të Trushit.

Prefekti i Qarkut
ka pritur një grup nga Kosova të cilët kanë sjellë ndihma ushqimore për llogari
të zonave të përmbytura, të cilat u akomoduan pranë rezervave të Shtetit në
Gjader.

k.k/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›