Përmbytjet në Shkodër, Mediu: Do monitorohen zonat pranë lumenjve

Tiranë, 12 janar
NOA - Përmbytjet në veri të vendit kanë vënë në lëvizje zyrtarët e lartë të
ministrisë së Mjedisit.
Ministri i
Mjedisit, Fatmir Mediu ka deklaruar gjatë një takimi me ekspertët e fushës, se
shumë shpejt do të nisë monitorimi i zonave pranë lumenjve e liqeneve për të
parandaluar në të ardhmen ngjarje të tilla të rënda që kanë shkaktuar dëme të mëdha
ekonomike.
Gjatë takimit me
ekspertët e mjedisit Mediu ka kërkuar bashkëpunimin e tyre për hartimin e
studimeve mbi ndryshimet klimatike në vend si pasojë e ngrohjes globale.
Mediu u kërkoi
ekspertëve gjithashtu bashkëpunim me qëllim arritjen e standardeve në çështjet
e mjedisit, ashtu siç kërkohet dhe në pyetësorin e BE për mjedisin në Shqipëri,
ku një rëndësi të veçantë Brukseli i kushton pasqyrimit real të gjendjes
mjedisore në vend dhe vizionit të qeverisë për të.
b.m/NOA