E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Beqaj, takon kryetarin e Pejës

Pejë, 23 gusht - Ministri për Integrime Evropiane, Besim Beqaj, ka vlerësuar se Komuna e Pejës, në segmente të caktuara, paraqet qytetin më të rëndësishëm në shkallë vendi për plotësim kriteresh për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian. Këtë e ka lidhur ngushtë me shtrirjen gjeografike të Pejës dhe kufirin e saj me shtetin fqinj, Malin e Zi. “Nënshkrimi i marrëveshjes ndërkufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi, që besohet të ndodhë këtë vit, e bënë Pejën qendër të rëndësishme”, ka thënë Beqaj. Ai ka lavdëruar krerët institucionalë për bashkëpunimin e deritashëm ndërkufitar me Malin e Zi. Pa përmendur problemet e shfaqura këto vitet e fundit rreth pasurive të disa fshatrave të Komunës së Pejës dhe të Deçanit përtej kufirit, të cilat kanë çuar ata edhe në protesta dhe bllokim rrugësh, Beqaj ka insistuar se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje dhe bashkëpunimi shumë i mire midis viseve në fqinjësi është kontribut i rëndësishëm për plotësimin e kërkesës së BE-së për bashkëpunime ndërkufitare. “Prandaj, Peja është njëra nga komunat kryesore që identifikohet si bartëse e këtij projekti”, ka thënë Beqaj. Këtë vlerësim ministri i Integrimeve Evropiane, Besim Beqaj, e ka bërë të hënën në Pejë gjatë një takimi me numrin një të këtushëm, Ali Berishën. Kryetari i Pejës është akorduar me ministrin Beqaj se koordinimi midis pushtetit lokal dhe ati qendror për hapa në plotësimin e kritereve të vëna kusht për integrim në BE është më se i domosdoshëm, porse ka shtuar se në këtë plan kërkohet njëkohësisht edhe mbështetje më e fuqishme nga institucionet e vendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›