E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Bajrami, vizitë të suksesshme në SHBA

Uashington - Një delegacion i Ministrisë së Shërbimeve Publike, i udhëhequr nga ministri Arsim Bajrami, që nga data 20 e këtij muaji, po qëndron në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku dhe kanë zhvilluar takime me autoritete shtetërore dhe federale, përgjegjëse në fushën e teknologjisë informative, gjegjësisht në shëndetësinë elektronike - telemjekësinë, edukimin elektronik, si dhe në sistemin statistikor, gjegjësisht regjistrimin e popullsisë.

Ministri Bajrami dhe zëvendësministri Blaku, të shoqëruar edhe nga pjesa tjetër e delegacionit, janë pritur nga autoritetet përgjegjëse për teknologjinë informative në nivel federativ dhe Zyra Federale për Regjistrim në Departamentin e Tregtisë.

Biseda në këto takime u fokusua në përvojat amerikane në fushën e teknologjisë informative, në standardet e teknologjisë, të ndërveprueshmërisë (interoperabilitetit), të politikave dhe kornizës ligjore sa i përket TI-së, si dhe bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në këtë fushë. Delegacioni kosovar, gjithashtu, u prit edhe në Zyrën Federale për Regjistrim, dhe me atë rast u njoh nga afër me strukturat dhe autoritetet përgjegjëse amerikane për regjistrim, si dhe me përvojat në aspektin metodologjik të regjistrimit të popullsisë dhe bizneseve. Me këtë rast u bisedua për format dhe mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë në të ardhmen.

Ndërkaq, gjatë qëndrimit në Uashington D. C. , është paraparë që më 27 janar, ditën kur përmbyllet vizita e delegacionit të Kosovës në SHBA, të realizohen takime me znj. Katherine Helgerson - drejtoreshë për Çështje të Evropës Juglindore në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe z. Stuart Jones, zëvendësndihmës Sekretar Shteti në Departamentin e Shtetit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›