E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, letra e Haradinajt ende pa përgjigje

Prishtinë - Përfaqësuesi civil ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith nuk ka marrë mbështetjen e ambasadorëve të vendeve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, që të mos përgjigjen fare në letrën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj rreth kohës së mbajtjeve të zgjedhjeve në Kosovë, shkruan e gazeta “Zëri”. Gazeta shkruan se të martën, është zhvilluar një takim jashtë vëmendjes së medieve nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG), në nivel ambasadorësh. Temë e diskutimit ka qenë situata në veri të Kosovës, në pritje të shtrirjes së misionit EULEX si dhe vendimi i presidentit Sejdiu për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në 2011.

Feith, sipas burimeve të gazetës Zëri, ka kërkuar që shtetet anëtare të ISG-së (23 shtete) të mos përgjigjen fare në letrën që Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, ua ka dërguar ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të ISG-së, ku ka kundërshtuar vendimin e presidentit Sejdiu dhe përfaqësuesit Feith që në Kosovë të mos ketë zgjedhje të përgjithshme deri në vitin 2011.

Feith thuhet se nuk ia ka arritur qëllimit sepse nuk ka pasur konsensus në ISG për këtë çështje. Sipas të gjitha gjasave, të diplomatët ka mbizotëruar përshtypja që vetë ministritë e jashtme të kryeqyteteve të tyre, duhet të adresojnë këtë çështje dhe të reagojnë ndaj letrës së Haradinajt, konstaton kjo gazetë, për të shtuar se kjo temë mund të trajtohet në takimin e radhës së ISG-së, që do të mbahet në nivel të lartë në Vjenë ose Bruksel, nga fundi i muajit shkurt.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›