Ministri Basha inspekton zonën: Situata nën kontroll

Rikthehet frika e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës.
Reshjet e dendura të shiut 48 orët e fundit dhe shkrirja e dëborës, kanë rritur ndjeshëm nivelin e liqeneve në kaskadën e Drinit. Për pasojë, dy hidrocentrale, ai i Komanit dhe Vaut të Dejës, prej 48 orësh kanë hapur portat, duke bërë që prurjet drejt lumit të Bunës të arrijnë 850 m³ ujë në sek. Rritja e nivelit të lumit ka zgjuar frikën e kthimit të përmbytjeve. Dje në Shkodër ka shkuar kreu i Shtabit të Emergjencës Ndërministore, Lulzim Basha, për të inspektuar nga afër situatën. Ai ka zhvilluar një takim me drejtues të Shtabit të Emergjencës Civile në Qarkun e Shkodrës dhe ka marrë informacion rreth masave të marra. Në një komunikim me mediat, Basha sqaroi se situata ka ardhur nga rritja e nivelit të ujit në hidrocentrale, të cilët janë të detyruar të shkarkojnë ujë, për të paktën edhe 24 orë të tjera. Në lidhje me rrezikun për rikthimin e përmbytjeve, Basha është shprehur: “Aktualisht situata është plotësisht nën kontroll. Eksperienca e fituar në përmbytjen e mëparshme ka ndikuar që të dimë të menaxhojmë situatën. Nëse do jetë e nevojshme, do të bëhet dhe evakuimi”. Ndërkaq prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, që është njëkohësisht dhe kryetar i Shtabit të Emergjencës për Qarkun e Shkodrës, është shprehur se nuk ka vend për panik. “Për momentin situata është plotësisht nën kontroll. Grupet e punës janë në kontakt me drejtuesit e komunave duke mbajtur çdo çast nën vëzhgim situatën”, u shpreh prefekti.
Ndërkohë shkarkimi i dy hidrocentraleve ka rritur ndjeshëm nivelet e lumit Buna dhe shenjat e para të ripërmbytjes janë shfaqur dje, në orët e pasdites, në fshatin Obot. Në këtë të fundit, uji ka dalë mbi rrugën kryesore të fshatit, duke krijuar vështirësi për qarkullimin e automjeteve të vogla. Nga të dhënat e raportuara mësohet se aktualisht në hidrocentralin e Komanit, niveli i ujit ka arritur 172.32 metër nga 175 që është niveli maksimal i lejuar. Prurjet në këtë hidrocentral arrijnë në 600 m³ në sekondë dhe shkarkohet rreth 350 m³ ujë për sekondë. Ndërsa në hidrocentralin tjetër ku shkarkimet vazhdojnë prej 24 orësh, Vaun e Dejës, niveli i ujit është 75.14 metër, pak centimetra larg kuotës maksimale prej 76 metrash të lejuar. Në këtë hidrocentral, prurjet janë rreth 200 m³ në sekondë dhe shkarkohet 500 m³ ujë. Ndërsa në hidrocentralin e Fierzës, niveli i ujit është 291.2 metër dhe prurjet arrijnë në 1200 m³ në sekondë. Rritja e prurjeve në Fierzë është ndihmuar edhe nga hapja e portave të liqenit të Ohrit nga autoritetet maqedonase. Megjithatë, nga Fierza nuk kanë nisur ende shkarkimet. Në një kohë që prej pak ditësh ka përfunduar procesi i verifikimit të dëmeve nga përmbytja në zonën e Nënshkodrës, KESH-i është detyruar sërish të rihapë portat e hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit Drin, për të shkarkuar ujin e tepërt që rrezikon digat. Zona e Nënshkodrës, ende e patharë nga përmbytjet e fillimvitit, rrezikon të mbulohet sërish nga uji.
#