Thaçi: Jo peng i fantazmave të së shkuarës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Kosova nuk do të mbetet peng i skemave apo fantazmave të së shkuarës, por do të luftojë të gjithë ata që synojnë mbajtjen e strukturave paralele në veri. Duke folur në një intervistë ekskluzive për “Shqip”, kreu i qeverisë së Kosovës rrëfen edhe për çështjen e njohjeve, lundën ndaj korrupsionit, por edhe për Preshevën...
Z. Kryeministër, cilat do të jenë prioritet e qeverisë në të ardhmen?
Tashmë shteti ynë i pavarur dhe sovran kremtoi dyvjetorin e tij. Në këto dy vite, si popull dhe institucione, ne kemi bërë punë të mëdha, mund të themi të jashtëzakonshme. Këtë e them duke u nisur nga fakti se ndërtimi i një shteti, me të gjithë mekanizmat e tij demokratikë, është një nga sfidat më të rënda të një shoqërie dhe ne duhet të ndihemi krenarë se ia kemi dalë me sukses kësaj sfide. Kur është fjala për progreset e Kosovës, duhet shtuar se gjatë këtyre dy viteve, nga shpallja e pavarësisë së shtetit më të ri në Europë, përveç 65 vendeve që e kanë njohur Kosovën, me mjaft krenari mund të konstatojmë se vendi ynë është në rrugë të mbarë dhe çdo ditë e më shumë me sukses po integrohet në instancat ndërkombëtare, tashmë anëtar i Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe anëtar i Bankës Botërore e në një të afërme jo të largët sigurish edhe në BE, OKB dhe NATO. Procesi i shtetndërtimit pothuajse është i përmbyllur, funksionaliteti i të gjithë mekanizmave shtetëror është stabilizuar, qeverisja e mirë është vendosur dhe në këtë mënyrë i kemi krijuar vetës hapësirë për t’u përballur me sfidat e tjera që na presin, sfidat e zhvillimit ekonomik të vendit dhe ato të integrimeve euro-atlantike.
Përkundër reduktimit të misioneve ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe të forcave të NATO-s, mund të na thoni sot çfarë është bashkëpunimi i institucioneve nacionale me ato ndërkombëtare?
Republika e Kosovës ka ndërtuar një partneritet shumë të qëndrueshëm, funksional dhe shumë produktiv me faktorët ndërkombëtarë dhe prezencën e tyre këtu. Kjo prezencë është duke dhënë një kontribut të madh në avancimin e përgjithshëm të proceseve në vend. Reduktimi i forcave të KFOR-it është vlerësimi për këtë avancim real që ka ndodhur edhe në fushën e sigurisë dhe stabilitetit të përgjithshëm. Pavarësia e Kosovës ka rrezatuar siguri, stabilitet dhe shpresë për të ardhmen, jo vetëm për qytetarët e vendit, por edhe për rajonin.
Meqë jemi te diplomacia ndërkombëtare, për dy vjet Kosova është njohur nga vendet kryesore të botës. Numri i njohjeve ka arritur në 65 vende, por për të qenë anëtare e OKB-së, ky numër nuk mjafton. Përkundër premtimeve nga disa liderë në Kosovë për njohje, duket se diçka nuk funksionon dhe kemi një përshtypje se ky numër i njohjeve po lëviz ngadalë. Për të përshpejtuar procesin e njohjeve të reja nevojiten ndryshime në kreun e diplomacisë së Kosovës, apo duhen pritur ndoshta ndryshime në qeveritë e vendeve të cilat ende hezitojnë për ta njohur shtetin tonë?
Republika e Kosovës ka vënë në dispozicion të gjitha mundësitë ekzistuese të saj për avancimin e procesit të njohjeve. Edhe përkundër politikës obstruktive të Beogradit, ky proces nuk është ndaluar. Kemi ngadalësim, për të cilin kemi arsye të mendojmë se do të tejkalohet, pas dhënies së opinionit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ku argumentet tona dhe të miqve tanë pro shtetit të Kosovës dolën shumë më të fuqishme se sa ato të kundërshtuesve. Nuk ka mundur të ndodhë ndryshe, sepse liria e një populli, vullneti demokratik i tij, nuk mund të jenë në kundërshtim me parimet e drejtësisë. Prandaj njohje të reja do të ndodhin. Pavarësia e Kosovës është një realitet, politikisht dhe historikisht i pakthyeshëm. Ky fakt tanimë pranohet nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare, përfshirë edhe ato vende që për momentin hezitojnë ta njohin shtetin tonë.
Kur përmendet stabiliteti, popullata dhe shumë ekspertë vendorë thonë se nuk mund të ketë stabilitet në Kosovë pa zgjidhjen e krizës së Mitrovicës. Qeveria a ka ndonjë plan apo projekt konkret për zgjidhjen e këtij problemi?
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërtuar një strategji të qartë për veriun, që do të implementohet dhe ka mbështetjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare. Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ajo pjesë të jetë një vrimë e zezë, një parajsë e kriminelëve dhe strukturave të paligjshme. Tashmë gjërat kanë filluar të lëvizin për mirë, investime të mëdha janë bërë nga qeveria në atë pjesë. Sundimi i ligjit është përgjigjja më adekuate për veriun dhe strategjia ka për synim pikërisht këtë gjë. Fantazmat e së kaluarës nuk do të mund të mbajnë peng askënd më. Ato janë të destinuara të dështojnë.
Z. Kryeministër, në Luginën e Preshevës shqiptarët janë bërë viktimë e presionit, arrestimeve, burgosjeve, dhunës së përditshme nga policia serbe, sjellje të ngjashme si dikur në Kosovë. Sipas jush, cila do të ishte perspektiva e shqiptarëve etnikë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë?
Fillimisht mund t’ju them se dhuna dhe politika diskriminuese e regjimit të Beogradit dikur ndaj shqiptarëve të Kosovës ishte e padurueshme, ku ne si shumicë ditëm të organizohemi dhe na u imponua që bashkë me komunitetin ndërkombëtar, këtij regjimi t'i japim shpërblimin e merituar, që pastaj njerëzit të jetojnë në liri dhe paqe. Tani, sjelljet e Beogradit me shqiptarët etnikë të Luginës së Preshevës janë të papranueshme dhe shqetësuese si për ne, ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Shqiptarët në Luginën e Preshevës jetojnë në tokat e tyre historike, pronën e tyre dhe duhet t’i kenë të gjitha të drejtat qytetare dhe demokratike. Qeveria e Beogradit duhet të heqë dorë nga politika e standardeve të dyfishta: për vete të kërkojë diçka të cilën ua mohon të tjerëve. Tensionet nuk vijnë nga kërkesat legjitime të njerëzve për më shumë të drejta dhe liri, por nga politikat e diskriminimit.
Përkundër rënies së krimit të organizuar në Kosovë nga një takim që kishim javën e kaluar me shefin e policisë së EULEX-it, ai nuk ishte aq entuziast për sa i përket kësaj dukurie, sidomos me rritjen e korrupsionit në vendin tonë. Ju pajtoheni me këtë dhe qeveria e Kosovës ka strategji më efikase për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në rajon?
Politika e qeverisë që unë drejtoj është dhe do të jetë politikë e zero tolerancës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë nuk do të lëshohem në komentime të komenteve të ndryshme, por i garantoj qytetarët e Kosovës se askush nuk do të ketë imunitet nga ligji kur është fjala për dukuri të tilla.
#