E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet suplementare, qeveria rrit fitimet në kurriz të policëve

Zbardhen shifrat e kontributeve të policëve që nga viti 2003. Vlera e kursyer, miliona lekë Për dy vjet, 12 mijë policë nuk përfituan asgjë nga derdhjet

Gjykata Kushtetuese merr në dorë gjithë kontributet e derdhura nga punonjësit e policisë që në vitin 2003 për pensionet suplementare, si dhe shpenzimet për ata persona që kanë përfituar nga kjo skemë. Shifrat përkatëse janë kërkuar nga vetë Kushtetuesja për shkak të ankimimit të bërë nga grupet e interesit, me qëllim mosmiratimin e ligjit të ri për pensionet suplementare. Në tabelat, një kopje e të cilave disponohet edhe nga “Shqip”, bie në sy se punonjësit e policisë, pavarësisht se kanë derdhur kontribute që në vitin 2003, nuk kanë përfituar për dy vite rresht asgjë, pavarësisht se moshën për pension të parakohshëm e kishin mbushur shumë veta. Përfitimet kanë nisur vetëm në vitin 2005 dhe kanë mbetur të bllokuara që prej korrikut të vitit 2009, për shkak të ligjit të ri, për të cilin ende nuk janë miratuar aktet nënligjore. Sipas tabelave ekuivalente, bie në sy se deri më sot, shteti shqiptar nuk ka pasur nevojë të shtojë para nga buxheti për personat që trajtohen me pension suplementar në polici, pasi kontributet e derdhura kanë qenë në masë edhe më të lartë se shpenzimet. E pavarësisht kësaj, qeveria shqiptare kërkoi që nga 1% e pagës që derdhnin punonjësit e policisë për këtë përfitim, masa e derdhjeve të shkojë në 2%. Sipas specialistëve, qeveria ka dyfishuar derdhjet, ndërkohë që vetëm me masën e parë të kontributit mund të përballoheshin nevojat e policisë.

Dy vjet pa përfitime

Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar informacion në lidhje me kontributet e derdhura nga policia gjatë këtyre viteve, si dhe shpenzimet e kryera për personat që trajtohen me pension të parakohshëm. Për këtë, palët e interesuara kanë dërguar informacionin e nevojshëm pranë Kushtetueses, ku bie në sy se policia deri më sot nuk ka kërkuar para nga buxheti për të plotësuar këto nevoja. Në ligjin e vjetër “Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit”, pikërisht në nenin 3 të tij, deklarohet se ata paguajnë kontribut shtesë mbi atë të përcaktuar në ligjin “Për sigurimet shoqërore”, në masën 1% të pagës referuese. Për funksionet e rolit madhor, masa e këtij kontributi ishte 2%. Sipas ligjit, pjesa që do të paguhet nga buxheti i shtetit do të jetë sa diferenca ndërmjet shpenzimeve për zbatim të këtij ligji, me të ardhurat që mblidhen nga kontributet që derdhin punonjësit e policisë.

Në nenin 16 të VKM-së nr. 443, datë 16.06.2005, “Për kushtet, kriteret dhe masën e përfitimeve nga sigurimi shoqëror suplementar i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe anëtarëve të familjeve të tyre, në rastet kur punonjësi ndërpret karrierën”, përcaktohet se efektet e zbatimit të këtij vendimi shtrihen nga data 16.09.2003, datë në të cilën ka hyrë në fuqi dhe ka filluar zbatimi i pagës për gradë dhe detyrimi për derdhjen e kontributit shtesë, sipas përcaktimit të nenit 3 të ligjit për sigurimin shoqëror suplementar. Pavarësisht se kontributet janë derdhur që nga viti 2003, e drejta e përfitimit ka filluar më 1 qershor të vitit 2005. Për periudhën e mëparshme nuk është paguar dhe janë mbajtur diferenca të mundshme, pavarësisht se punonjësit e policisë kanë derdhur kontributet e tyre.

Suficit kontributesh

Në lidhje me këtë, në VKM-në nr. 443 është përcaktuar se në rastet kur shuma e shpenzuar për përfitimet nga kjo skemë rezulton më e ulët se shuma e kontributit të grumbulluar, pjesa e fondit të pashpenzuar ruhet në fondin e sigurimit suplementar për punonjësit e policisë në llogarinë e ISSH-së. Duke përllogaritur këto shifra, rezulton se në vitin 2005 kanë dalë në pension të parakohshëm 36 punonjës policie. Në atë kohë, paga mesatare mujore ka qenë 33 mijë e 700 lekë, ndërkohë që pensioni bazë mesatar ka qenë 16 mijë e 800 lekë. Sipas përllogaritjeve, për 36 punonjës policie, për një muaj është nevojitur për përballim vlera 604 mijë e 800 lekë. Për çdo muaj në total janë grumbulluar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore kontribute në masën 3 milionë e 853 mijë lekë. Diferenca që i ka mbetur Institutit të Sigurimeve Shoqërore çdo muaj të vitit 2005, të pashpenzuara, ka qenë 3 milionë e 248 mijë lekë. Pra kontributet e policisë kanë qenë më të larta se vlera e nevojshme për përballimin e atyre që trajtoheshin me pension suplementar, duke mos pasur nevojë të merren para nga buxheti i shtetit. Sikur të mos kishte mjaftuar kjo, me rritjen e pagave që është bërë çdo vit për punonjësit e policisë, edhe kontributet e derdhura në sigurimet shoqërore kanë ardhur në rritje. Buxheti i shtetit, sipas detyrimeve që ka në bazë të nenit 3 të ligjit, nuk ka përballuar asnjë shpenzim, pasi janë përballuar nga vetë punonjësit e policisë. Pra, diferenca mes derdhjeve dhe shpenzimeve ka qenë pozitive dhe nuk janë kërkuar para shtesë nga buxheti i shtetit.

Trajtimi i punonjësve

Në vitin 2009, gjithsej, siç është argumentuar edhe në tabelat përkatëse, ka 507 punonjës policie të cilët janë regjistruar për pension të parakohshëm. Por, kjo shifër tregon numrin e punonjësve të dalë në këto vite në pension të tillë dhe jo numrin e punonjësve që trajtohen aktualisht. Kjo shifër është më e vogël, pasi shumë nga punonjësit e dalë në pension të parakohshëm gjatë kësaj periudhe, kanë plotësuar kushtet për pension pleqërie. Pra, këta nuk përfitojnë nga ligji i ri, i cili është objekt në Gjykatën Kushtetuese. Gjithashtu, disa punonjës që kanë përfituar nga Sigurimet Shoqërore, e kanë ndërprerë këtë përfitim, për shkak të rikthimit të tyre në punonjës aktivë, apo të punësuar në sektorin privat. Siç rezulton nga kalkulimet, për disa vite, përballimi i trajtimit me pension të parakohshëm, jo vetëm që është përballuar në masën 100% me kontributet e vetë punonjësve të policisë, por nga kjo shumë ISSH-së i kanë mbetur pa u shpenzuar vlera të konsiderueshme.

Abuzimi me ligjin e ri

Pavarësisht se me kontributet e mbledhura ISSH-së i kanë mbetur pa u shpenzuar këto para, me ligjin e ri të përgatitur prej tyre ata synojnë që të dyfishojnë “taksën” e paguar nga punonjësit e policisë për sigurimin suplementar. Pra, me 1%, të pagës, deri tani punonjësit e policisë kanë arritur të përballojnë shpenzimet për 503 punonjës që trajtohen me pension suplementar dhe të kursejnë vlera të konsiderueshme, por ISSH mendon se kjo përqindje duhet të dyfishohet. Duke çuar masën e kontributit në 2%, automatikisht derdhjet do të dyfishohen, duke shtuar shpenzimet e punonjësve të policisë, pavarësisht se për të përballuar këtë skemë pensioni suplementar është e mjaftueshme masa me ligjin e vjetër. Kjo është një ndër arsyet që grupet e interesit, si Sindikata e Policisë dhe Shoqata e Ish-policëve kanë kërkuar që Gjykata Kushtetuese ta hedhë poshtë këtë ligj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›