Pas Çausheskut, Rumania shpëtoi dje edhe nga Edi Rama i vet

Socialistët rumunë mbajtën dje zgjedhjet për kryetar, pasi humbën zgjedhjet presidenciale dhe ndoqën një kurs politik me kontestimin e zgjedhjeve dhe me bojkotin e përkohshëm. Beniamini i komunistëve të çausheskut, kryetari Mircea Geoana, ndoqi të njëjtën politikë në kundërshtim me rregullat e demokracisë dhe humbi në përballjen me rivalin që kërkonte homologimin e politike me socialistët e BE-së. Tashmë ka mbetur vetëm Edi Rama, i cili ende s’ka gjetur dot justifikimin, me të cilin do të presë delegacionin e Këshillit të Evropës
Rumania ka dhënë një tjetër shembull se si mund të shkulen barërat e këqija, që mund të sigurojnë mbijetesën në sajë të laksizmit të shoqërive të reja demokratike në Evropën Lindore. Tranzicioni ka qenë fort i vështirë në Rumani gjatë këtyre 20 viteve (njëlloj si në Shqipëri) dhe pas traumës së mbijetuar me mposhtjen e regjimit të çausheskut – e më vonë me çrrënjosjen e aparatçikëve të Ilion Ilieskut, Rumanisë i është dashur gjatë vitit të fundit të përballet me surrogato-n e nomenklaturë së çausheskut, me një politikan që veproi sipas matricës me të cilën po mbahet gjallë Edi Rama në Tiranë. Mircea Geoana, ish-ministri i jashtëm i Rumanisë, një komunist i brezit të dytë, mori përsipër para afro 7 vitesh t’u jepte socialistëve rumunë imazhin e një socialdemokracie evropiane, të denjë për karikaturën me të cilën ata kishin mundur të merrnin anëtarësimin e për të cilën sot (së bashku me Bullgarinë) janë shndërruar në problemet më ekzistenciale të Unionit. Aventura s’pati ndonjë rezultat politik të njëmendtë, megjithë ndonjë shifër momentale jodomethënëse.
Por dështimi u tentua të mbulohej me të ashtuaquajturat reforma, të cilat krejt me të njëjtën matricë me Edi Ramën e Pezës, synuan në të njëjtën kohë të realizonin restaurimin e nomenklaturës çausheskiane të brezit të dytë, kthimin e komunistëve në pushtet, tashmë me djelmurçimat me llak e brilantinë, pa lidhje, as me injorancën e komunistit çaushesku, e as me manierat demode të së shoqes. Me strategjinë e meshkujve me vëthë e femrave pa kufizime të moralit, Mircea Geoana u fut në zgjedhjet presidenciale të para dy muajve dhe regjistroi në dështim të plotë politik.
Por krejt njëlloj si Edi Rama i Tiranës, Geoana s’mundi të pranonte humbjen politike në një vend anëtar të BE-së dhe shpalli kontestimin e rezultatit të zgjedhjeve e më pas edhe një bojkot të përkohshëm të parlamentit. E gjithë strategjia u justifikua me rezultatin jo fort të thellë elektoral, por humbja ishte në dritën e diellit, dhe pas kursit skandaloz politik të bojkotit dhe kontestimit të rezultatit (që për fat të mirë u mbyll shpejt dhe me turp për ish-komunistët), Geoana u përqendrua më shumë në mospranimin e rezultatit brenda së majtës. Në tollovinë që shoqëron rëndom formacionet politike që dështojnë në zgjedhjet politike, dje ka qenë radha e një stacioni që mund ta cilësojmë rëndom si “stacioni i Edi Ramës”, ka qenë stacioni i zgjedhjeve brenda partisë. Nëse në shtator, Edi Rama shpalli tmerrin e bllokimit të çfarëdolloj alternative dhe shpiku fitoren me lakrorin e Maqos, ish-komunistët rumunë janë treguar dje goxha më të pjekur politikisht. Rezultati zyrtar ka qenë i ngushtë, 856 për rivalin dhe 781 për Geoanën, por ka sanksionuar se socialistët rumunë kanë ndërmend t’i japin vetes një histori politike moderne evropiane, qoftë edhe duke duruar një humbje të hidhur, si ajo e dishepullit të çausheskut në radhët e së majtës rumune, që tenton të jetë moderne, si ajo e Londrës, Brukselit a Holandës.
Ilir Nikolla