Ministri Basha-komisionerit Mirel: Do presim çdo lidhje të politikës me botën e krimit
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha deklaroi dje se ligji do veprojë mbi çdo individ të politikës që rezulton i inkriminuar me krimin e organizuar. Gjatë takimit të zhvilluar me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në KE, Pierre Mirel, Basha konfirmoi zotimin e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, duke specifikuar edhe sukseset e arritura së fundmi në këtë fushë. Basha nënvizoi se ligji do të veprojë mbi krimin dhe do të penalizojë çdo lidhje të politikës me krimin e organizuar. Ministri Basha paraqiti në takim disa nga treguesit kryesorë të luftës kundër kriminalitetit, trafikut të drogës dhe korrupsionit. Ai nënvizoi se vetëm gjatë dy javëve të fundit ka patur një sërë arrestimesh për korrupsion, janë zbuluar mbi 16 vrasje të vjetra e të reja, si dhe janë goditur grupe të trafikut të drogës. Ministri Basha informoi Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në KE, Mirel edhe për fazën e re të luftës kundër mafias dhe krimit të organizuar që po ndërmerret nga agjencitë ligj-zbatuese shqiptare, ku një ndihmë të veçantë jep kuadri ligjor “Antimafia” dhe ligji për konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar duke bërë që Shqipëria të adoptojë një nga modelet më të suksesshme të zbatuara nga disa vende anëtare të BE.
Prioritetin e strukturave policore shqiptare për të goditur me të gjitha mjetet mafian dhe krimin e organizuar, ministri Basha e shprehu edhe në një intervistë për mediat menjëherë pas përfundimit të takimit me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian Pierre Mirel. “Duke goditur asetet e mafias plotësojmë edhe më tej objektivin strategjik shqiptar, objektiv i cili është përmbushur në masë më ta madhe gjatë katër viteve të shkuara, që është Shqipëria vendi më armiqësor kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Lufta kundër krimit të organizuar është një histori suksesi në Shqipëri dhe kjo u konstatua edhe javën e kaluar nga Komisioni Europian. Por ky është një proces në vazhdim në çdo vend duke përfshirë edhe vendet e BE apo të zonës euroatlantike, ndaj lufta kundër krimit të organizuar është dhe mbetet prioritet i qeverisë shqiptare dhe do të vazhdojë me mjetet e reja ligjore e po ashtu me të gjitha mjetet operative që Policia e Shtetit ka në dispozicion”, deklaroi ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Nga ana e tij, Mirel nënvizoi arritjet e qeverisë shqiptare edhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Përsa i takon liberalizimit të vizave, në takimin me zyrtarin e lartë evropian, Pierre Mirel, Basha e informoi atë se Shqipëria ka përmbushur pothuajse plotësisht kriteret për përfitimin e lëvizjes së lirë. Në këtë aspekt Basha përmendi faktin se numri i pasaportave biometrike për qytetarët shqiptarë ka shkuar në 280 mijë dhe në të gjitha pikat e kalimit kufitar funksionojnë tashmë sistemet më moderne të kontrollit dhe analizës së informacionit kriminal, të cilat në tërësi përbëjnë sistemin më të përparuar të kontrollit kufitar në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu, si përgjigje ndaj interesit të gazetarëve ministri Basha akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste për një fushatë disinformimi të ndërkombëtarëve mbi arritjet e Shqipërisë në procesin për liberalizim të vizave. Në takimin me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor Pier Mirel, u diskutua dhe mbi një nga sfidat afatmesme dhe afatgjata të qeverisë që ka të bëjë me forcim të kapaciteteve administrative.