“Shqipëria pa viza në zonën “Schengen”, brenda 6 mujorit të parë të 2010-ës”
Europarlamentarët: Opozita të ndërpresë bojkotin, të përfaqësojë zgjedhësit në kuvend
TIRANË- Parlamenti Evropian i bën thirrje opozitës shqiptare që të rikthehet në debatin parlamentar dhe të kontribuojë në procesin e reformave që Shqipëria duhet të përmbushë në kohën e duhur. Përmes një rezolute të miratuar në seancën plenare të mesditës së djeshme, Parlamenti Europian i kërkon opozitës të kryejë detyrën e saj kryesore që është përfaqësimi i votuesve të saj në legjislativ. Thirrja e sanksionuar në amendamentin 15 të kësaj rezolute shpreh qartë qëndrimin e legjislativit europian për vendimin e Partisë Socialiste për të lënë jashtë dyerve të kuvendit deputetët e saj të zgjedhur më 28 qershor.
Ndër të tjera Amendamenti 15 i Rezolutës “Strategjia e Zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, Islandën dhe Turqinë” thotë shprehimisht se Strasburgu është i kënaqur me përbërjen e koalicionit të ri qeverisës në Shqipëri, dhe me raportin e fundit të OSBE-së mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputetët e Parlamentit Europian vlerësuan gjithashtu ecurinë e Shqipërisë, që pas raport progresit të fundit, në veçanti në fushën e dokumenteve të identitetit. Ata përgëzuan gjithashtu Shqipërinë për përmbushjen e kritereve kryesore të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Nga ana tjetër autoritetet shqiptare ftohen të përshpejtojnë implementimin e reformave në mënyrë që të përfitojnë sa më shpejt nga regjimi i liberalizimit të vizave. Eurodeputetët ritheksuan qëndrimin e tyre si avokatë të liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën duke u kërkuar këtyre dy vendeve të nxitojnë në plotësimin e kushteve të mbetura në mënyrë që ky regjim të hyjë në fuqi që nga Korriku i vitit 2010.
Rezoluta e Parlamentit Europian është një tjetër hap i rëndësishëm për liberalizimin e vizave pas miratimit të propozimit të eurodeputetes Tanja Fajon për të futur në listën e bardhë të Shengenit me procedura të përshpejtuara Shqipërinë dhe Bosnjen, sapo të përmbushin kushtet.