Ministri Bumçi pret Ambasadorin e Maqedonisë Vele Trpevski
Ministri i Jashtwm, Aldo Bumçi, sot priti në një takim kortezie ambasadorin e Maqedonisë në Shqipëri, Vele Trpevski, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.
Ministri Bumçi e falenderoi ambasadorin Trpevski për kontributin e dhënë gjatë ushtrimit të detyrës së tij në drejtin të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, duke shprehur bindjen se ato do të intensifikohen në të ardhmen.
Bumçi vuri në pah se politika e jashtme e Shqipërisë ka mbështetur sovranitetin, integritetin e stabilitetin e Maqedonisë, si dhe evidentoi rëndësinë e avancimit të të drejtave të shqiptarëve përmes zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Ai vlerësoi se zgjidhja e kontestit, rreth emrit të vendit, do të bëjë të mundur realizimin e aspiratës për anëtarësimin në NATO dhe BE.
Ambasadori Trpevski, fillimisht uroi Ministrin Bumçi për klimën e mirë të bashkëpunimit dhe vlerësoi nivelin e marrëdhënieve mes të dy vendeve tona si shumë të mirë. Ai shprehu bindjen se bashkëpunimi dypalësh do të thellohet më tej, për avancimin e projekteve e përbashkëta në infrastrukturë dhe energji, duke përshpejtuar proceset integruese në familjen evropiane.