Ministri Demo: Kam kërkuar profesionalizëm nga policia dhe respektim të qytetarit! Apel për prindërit e minorenëve, të mos marrin pjesë në akte dhune
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka bërë të ditur se dy punonjës policie janë pezulluar pas rasteve të tejkalimit të kompetencave gjatë protestave në Tiranë.

Ministri i referohet rastit të një të riu protestën e sotme para Ministrisë së Arsimit, teksa pa arsye u plas në tokë nga efektivë të policisë, të cilët më pas e shkelmuan fort në këmbë.
Demo deklaroi se çdo shkelje e ligjit do të ndëshkohet, si nga protestuesit që ushtrojnë dhunë, ashtu edhe nga efektivët e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre.
Ai u bëri thirrje prindërve të mos lejojnë përfshirjen e të miturve në akte të dhunshme, duke theksuar se rendi publik dhe respektimi i ligjit mbeten përparësi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo:
Jam njohur sot me dy raste të tejkalimit të kompetencave nga ana e forcave të Policisë, nëpërmjet pamjeve, të cilat janë bërë publike edhe në media apo rrjetet sociale. Menjëherë kam kërkuar nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit, marrjen e masave duke u referuar verifikimeve të domosdoshme.
Falënderoj Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për masat e pezullimit të 2 punonjësve në fjalë.
Policia e Shtetit për 3 ditë rresht është gjendur përballë një situate të vështirë, ku forca të errëta kanë përdorur militantë, mercenarë dhe, çfarë është më e keqja, minorenë, duke i nxitur ata drejt akteve të dhunës ekstreme ndaj Policisë, institucioneve dhe bizneseve e pronës private.
Kam kërkuar përgjatë gjithë kohës, që përgjigjja e Policisë të ishte proporcionale dhe të mos tejkalonte asnjëherë caqet e vendosura nga ligji, ashtu siç kam kërkuar hetim dhe ndëshkim për çdo dhunues e shkelës të ligjit. Por ligji absolutisht do të jetë i barabartë për të gjithë, si për ata që, të motivuar politikisht, dhunojnë me synimin për të krijuar kaos në Shqipëri, ashtu edhe për uniformat të cilat tejkalojnë kompetencat e ligjit.
Profesionalizmi i Policisë së Shtetit matet jo vetëm me aftësinë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, por edhe me respektimin e ligjit dhe dinjitetit të çdo qytetari. Për këtë kam qenë dhe jam shumë i qartë dhe çdo shkelje e konstatuar do të marrë përgjigjen e merituar në përputhje me ligjin.
Dua sot të bëj edhe një apel mbi të gjitha për prindërit e atyre minorenëve, të cilët marrin pjesë në aktet e dhunshme. Flisni me fëmijët, mos i lejoni ata të përdoren nga politika e mbrapshtë dhe as të rriten duke u edukuar se rruga për të fituar kalon nëpërmjet dhunës!
Edhe njëherë, dua të siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë se shteti i së drejtës do të triumfojë dhe siguria dhe rendi publik do të garantohen!