E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Emigracioni? Rama me 2 deklarata të ndryshme

Kryeministri i ri Edi Rama tha sot gjatë paraqitjes së qeverisë që do të drejtojë, se nuk ka premtuar asnjëherë krijimin e një ministrie për Emigracionin. 

I pyetur nga gazetarët për këtë temë ai u përgjigj: “Nuk e di të kem bërë ndonjë premtim elektoral për ministrinë e Emigracionit. Mos e ngatërroni me partinë e camëve!” 

Nuk është shumë e qartë përqasja që kryeministri i bën cështjes së emigrantëve me partinë e camëve, por e sigurt është se iku edhe një shans që qeveria shqiptare të dëshmonte se po mendon më seriozisht për qindra-mijëra shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë vendit dhe kanë mijëra probleme të cilat presin zgjidhje. 

Nga një kërkim i thjeshtë, konstatuam se në një intervistë për "Plus Gazeta Athina" më datë 15-2-2013, Edi Rama ka thënë: "Kemi premtuar ngritjen e një ministrie të vecantë për emigracionin, ministri në të cilën do të punësohen elementë të spikatur prej emigracionit si dhe një përfshirje të drejtpërdrejtë të emigrantëve në strukturat diplomatike të shtetit shqiptar, pra në ambasada dhe konsullata". (në foto)

(Gazeta në fjalë botohet në Athinë, por shpërndahet edhe në Tiranë).
(a.j./Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›