Ministri Hoxhaj, përfaqësuesi i Kosovës, në KS të OKB-së

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj ka udhëtuar për në New York, ku do të marrë pjesë në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet nesër.
Hoxhaj para përfaqësuesve të shteteve anëtare të KS-së do të paraqesë zhvillimet pozitive në Kosovë në procesin e rëndësishëm të konsolidimit të shtetësisë dhe në transformimin ekonomik e social. Një pjesë e fjalimit të ministrit Hoxhaj do të përqendrohet edhe në vendosmërinë e Qeverisë për vendosjen e sundimit të ligjit dhe për luftën kundër krimit të organizuar në të gjithë territorin e shtetit.
“Në këtë seancë, kryediplomati kosovar do të kërkojë nga Serbia që t`i shpërbëjë strukturat paralele ilegale shtetërore në Kosovë dhe të heqë dorë nga mbështetja politike për grupe të krimit të organizuar në veri”, thuhet në njoftimin për medie të MPJ-së.
Hoxhaj do të flasë edhe për situatën e fundit të krijuar në veri, pas vendosjes së masave të reciprocitetit nga ana e Kosovës ndaj Serbisë.
Po ashtu, pritet që ai t`i shpjegojë përfaqësuesve të shteteve anëtare të KS-së për dialogun teknik ndërmjet Kosovës e Serbisë, për mosgatishmërinë e kësaj të fundit që t`i pranojë vulat e Doganës së Kosovës në takimin e fundit të muajit korrik dhe për domosdoshmërinë kushtetuese për vendosjen e masave të reciprocitetit.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mbajë nesër seancën e rregullt për Kosovën, ku do të prezantohet raporti më i ri i sekretarit të përgjithshëm për gjendjen në Kosovë. Ban Ki-Mun në raportin e rregullt për Kosovën fton të gjitha palët që të përmbahen nga hapat e njëanshëm, të cilët mund të rrezikojnë përparimin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi dhe ka apeluar që të mos ketë më ngritje të tensioneve.
Situata e përgjithshme e sigurisë në veri të Kosovës në periudhën prej 16 prillit deri më 15 korrik, e cila përfshihet në raport, ka qenë kryesisht e qetë, por tensionet janë ngritur kah fundi i kësaj periudhe, thuhet në raport.
Kosova në Këshillin e Sigurimit do të përfaqësohet nga shefi i diplomacisë Enver Hoxhaj, ndërsa Serbia nga ministri i Punëve të Jashtme Vuk Jeremiç.