Ministri Ksera: “Qeveria e vendosur të rrisë mbështetjen për të moshuarit”
Të moshuarit do të kenë përfaqësim më të madh në strukturat vendimmarrëse. Ministri i Punës, Spiro Ksera u premtoi të moshuarve një bibliotekë, në të cilën ata të kenë mundësi të lexojnë jo vetëm shtypin e ditës, por edhe botime artistike, shkencore etj. Këtë premtim Ministri i Punës e bëri gjatë një vizite që zhvilloi në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Moshës së Tretë. Ministri Ksera vizitoi ambientet e Qendrës si dhe bisedoi me të moshuarit rezidentë në këtë qendër publike, të moshuar të Qendrës ditore në Kamëz si dhe të moshuar nga komuniteti, të cilët ishin mbledhur së bashku për të festuar në këtë ditë. Ministri u njoh me problemet që i shqetësojnë të moshuarit dhe kërkesat që ata kanë në drejtim të pushtetit për të përmirësuar më tej jetën e tyre, duke i siguruar se Qeveria Berisha do t’i ketë në qendër të politikave të veta në përmirësimin e jetës për shtresat në nevojë. Një pikë kryesore ku do të ndërhyhet është rritja e sasisë dhe cilësisë së shërbimeve sociale dhe shëndetësore për ta. “Mbështetja e të moshuarve ka qenë një nga prioritetet e Ministrisë së Punës, për të cilën ajo ka punuar seriozisht. Tregues i këtij serioziteti janë përpjekjet që janë bërë pas 2005, ku, në bashkëpunim me BB, janë rikonstruktuar pjesa më e madhe e qendrave rezidenciale për të moshuarit, me qëllim që kushtet në to të jenë në përputhje me standardet tashmë të miratuara nga Qeveria”, theksoi Ministri Ksera. Ai u shpreh se rezidentëve do t’u lihet 50% e pensionit të pleqërisë, nga vetëm 10% që ishte përpara dy vjetësh. Kjo do të mundësojë rritjen e kuotës dhe cilësisë së ushqimit në të gjitha qendrat, si dhe rritjen e masës së pensionit të pleqërisë së qytetit dhe dyfishimit të pensionit të fshatit etj. Ministri i Punës u premtoi se qeveria është angazhuar që në vitin 2013 pensionet të arrijnë një rritje maksimale dhe të mjaftueshme për të përballuar nevojat e çdo të moshuari. “Ne tashmë kemi përfunduar hartimin e një dokumenti shumë të rëndësishëm, Dokumentit Politik për Moshimin, i cili jo vetëm plotëson angazhimet tona ndërkombëtare. Por me anë të të cilit ne synojmë të jemi sa më pranë zgjidhjes së problematikës së të moshuarve”,- u shpreh Ministri i Punës.
Qendra publike e të Moshuarve në Tiranë është rikonstruktuar dhe kompletuar me pajisje të reja nëpërmjet një projekti të përbashkët të Ministrisë së Punës me Bankën Botërore. Në të aktualisht strehohen tridhjetë të moshuar nga të cilat dhjetë gra.
Kuçovë, uji i ndotur me kimikate
Ndotja e ujit të pijshëm në rrethin e Kuçovës është bërë sërish shkak për përhapjen e infeksioneve kryesisht te fëmijët. Në shumë fshatra të këtij rrethi, furnizimi i banorëve me ujë të pijshëm bëhet nëpërmjet depove të ujit dhe puseve të ngritura nga vetë ata. Drejtoria e Shëndetit Publik në këtë rreth ka analizuar kampionet e ujit të pijshëm në një sërë fshatrash të këtij rrethi, ku ka rezultuar se uji i pijshëm është i ndotur. Kështu, ka dalë se banorët e fshatrave Kozarë, Gegë, Velagosht dhe Salc Kozare konsumojnë ujë të ndotur kimikisht. Nga analizat e bëra ka rezultuar se ka ndotje të ujit të pijshëm dhe në depot e fshatrave Gegë e Kozarë dhe në puset e ngritura nga vetë banorët në këto fshatra. I njëjti problem u evidentuar edhe në disa fshatra të qytetit të Lushnjës, ku banorët furnizoheshin me ujë me mjete rrethanore. Një situatë e tillë për ujin e pijshëm është vërejtur edhe në disa zona të tjera të vendit, por këtij problemi nuk i ka shpëtuar as kryeqyteti. Gjatë sezonit të verës, në Tiranë ka pasur mjaft probleme me ujin e pijshëm, të shkaktuar nga probleme të ndryshme.
2 Tetor 2009