Shkresa, Tafaj urdhëron Shaskën tu japë studentëve diploma 4-vjeçare
Jonida Tashi
Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj ka urdhëruar dje rektorin Universitetit të Vlorës, që t’i pajisë studentët e Juridikut me diplomë 4-vjeçare. Për këtë arsye, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka dërguar dje një shkresë zyrtare rektorit të Universitetit “Ismail Qemali”, Tanush Shaska në lidhje me formën e diplomave të studimeve 4-vjeçare. Në përmbajtje të kësaj shkrese zyrtare thuhet: Në bazë të nenit 88, të Ligjit Nr.9741, datë 21.05.2007, “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë“, i ndryshuar, studentët e regjistruar në një program studimi para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të vazhdojnë dhe përfundojnë studimet me të njëjtin program që kanë filluar”.
Sqarimi
Drejtoresha e Kabinetit, në Ministrinë e Arsimit, Edlira Late ka sqaruar dje se studimet 4-vjeçare të përfunduara në vitin akademik 2008-2009 janë programe të papërshtatura me standardet e Bolonjës dhe diplomat e tyre njihen si diploma të sistemit të vjetër, pra si diploma universitare 4-vjeçare. Sipas saj, në bazë të nenit 89, të Ligjit të Arsimit të Lartë, këto diploma janë ekuivalente me “Diplomat të Integruara të Nivelit të Dytë” (DIND). MASH-i ka kërkuar nga drejtuesit e Universitetit “Ismail Qemali” që t’i pajisin sa më shpejt studentët me diploma në përputhje me përcaktimet e mësipërme të Ligjit të Arsimit të Lartë. Me daljen e kësaj shkrese nga Ministria e Arsimit problemi i diplomave të studentëve të sapodiplomuar për Drejtësi në Vlorë do të marrë fund së shpejti. Aq më tepër që vetë rektori i Universitetit të Vlorës është treguar i gatshëm për zgjidhjen e këtij problemi.
Reagimi
Një ditë para se t’i mbërrinte në zyrë shkresa e ministrit të Arsimit për diplomat e studentëve të diplomuar për Juridik, rektori Tanush Shaska ka bërë një deklaratë zyrtare për këtë problem, duke sqaruar pozicionin e Rektoratit mbi këtë çështje. “Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi mjaft të interesuar që studentët tanë të marrin diplomat sa më dinjitoze. Problemi i emërtimit të diplomave ka qenë gjatë gjithë kohës një çështje që ne kemi negociuar me MASH-in. Unë personalisht jam përpjekur dhe kam insistuar që për diplomat 4-vjeçare të shkruhet në emërtimin e diplomës termi 4-vjeçar”,- ka theksuar Shaska në deklaratën e tij. Në fund të saj, rektori i Vlorës ka pohuar se Rektorati i universitetit që ai drejton është i gatshëm të bëjë përpjekje që të shtohet në diplomë edhe titulli “Jurist” në se këtë e lejon Ministria e Arsimit.
Situata e grevistëve
Në ditën e katërt të grevës, përkeqësohet një prej studentëve
Shfaqen problemet e para në shëndetin e studentëve të Vlorës që janë futur në grevë urie për diplomat. Një prej grevistëve të Vlorës, Miltjon Çuko është dërguar ditën e djeshme me urgjencë në spital për shkak të përkeqësimit të shëndetit. Mësohet se i riu ka pasur edhe me herët probleme me stomakun, të cilat me nisjen e grevës i janë shtuar. Por sipas mjekëve, probleme serioze me shëndetin kanë edhe dy prej grevistëve të tjerë. Studentët janë ngujuar para pesë ditësh në grevë, pasi në diploma kërkojnë titullin “Jurist”. Lëvizja e studentëve të Drejtësisë është përshkallëzuar edhe më shumë. Mbrëmjen e të mërkurës dhjetëra studentë bllokuan për 10 minuta rrugën që të çon në Universitetin e Vlorës. Por megjithë problemet shëndetësore, studentët janë të vendosur të mos dalin nga greva e urisë, derisa Universiteti i Vlorës t’i japë atyre diplomën që kërkojnë.
2 Tetor 2009