Vasili, paketa e re e shërbimeve që do të përfitojnë të moshuarit
Emanuela Sako
Në të gjitha poliklinikat e Tiranës shtohet një paketë e re shërbimesh për pensionistët. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, theksoi se që nga 1 tetori do të fillojë të aplikohet marrja e shërbimeve falas për kategorinë e të moshuarve. Pjesë e shërbimeve të ofruara janë të gjitha ato që deri tani kanë munguar në poliklinika, duke nisur që nga kujdesi për shëndetin mendor, këshillim për problemet e zemrës, mënyrën e ushqyerjes etj. Deklarata e ministrit Vasili është bërë në Poliklinikën Nr. 8 në Tiranë, në një takim me pensionistë, në Ditën Ndërkombëtare e të Moshuarve. Ai dhuroi simbolikisht, dokumentin që përfaqëson shërbimet që do t’i ofrohen moshës së tretë. Kreu i Shëndetësisë, u shpreh se nismat për të ndihmuar këtë kategori do të vazhdojnë edhe në muajt në vijim, ndërkohë që monitorimi i kujdesit të shëndetit për të moshuarit, do të jetë parësor për personelin shëndetësor. “Këto së paku, elementet thelbësore që kanë të bëjnë me monitorimin e shëndetit të të moshuarve, dhe ndjekjen në mënyrë të përditshme me prioritet nga mjekët dhe infermierët e përkushtuar të shërbimit tonë parësor, ky dokument i cili është fillesa e një reflektimi të madh i cili nuk mbaron këtu unë kam kënaqësinë t’ia dhuroj profesor Reshatit si një akt simbolik”,- u shpreh Vasili.
Paketa
Kujdesi shëndetësor parësor për të moshuarit mbi 65 vjeç, do të mundësojë shërbim në përputhje me nevojat shëndetësore të tyre. Qëllimi i shërbimit për të moshuarit është reduktimi i ndërlikimeve të gjendjeve akute si dhe t’u sigurojë shërbim pacientëve me sëmundje kronike. Shërbimet që do të shtohen për të moshuarit janë; kujdesi parandalues dhe edukimi i pacienteve apo familjes, monitorimin e lëvizshmërisë dhe aktivitetin fizik, monitorimi i pamjes dhe dëgjimit, monitorimi i kapacitetit funksional mendor dhe këshillimin e aktiviteteve të stimulimit mendor ( parandalimi i demencës), monitorim periodik i gjendjes së ushqyerjes si dhe këshillimi për ushqyerje të shëndetshme. Njëkohësisht do të ketë këshillim për masa parandaluese për sëmundjet ishemike të zemrës dhe ato cerebrale. Nga ana tjetër, pacientët e moshuar do të përfitojnë këshillim për ushtrime fizike dhe marrje të kalciumit dhe vitaminës D për të parandaluar pasojat e osteoporozës, si dhe do të kryhet monitorimi dhe edukimi periodik i të moshuarve dhe familjarëve të tyre mbi dhunën apo abuzimin ndaj të moshuarve.
Nismat
Kreu i Shëndetësisë u shpreh se shumë shpejt do të ketë një rishikim të sistemit të referimit për pacientët, të cilët do t’i drejtohen mjekut të familjes dhe jo vetëm spitaleve të mëdha për të marrë ndihmën mjekësore. Në këtë mënyrë do të mundësohet reduktimi i pacientëve në spitalet e mëdha. Aktualisht poliklinikat janë braktisur nga pacientët për shkak të besueshmërisë dhe kryerjes së vizitave në spitalet e nivelit terciar.
Shërbimet që do të ofrohen
Kujdesi parandalues dhe edukimi i pacienteve apo familjes
Monitorimin e lëvizshmërisë dhe aktivitetin fizik
Monitorimi i pamjes dhe dëgjimit
Monitorimi i kapacitetit funksional mendor dhe këshillimin e aktiviteteve të stimulimit mendor ( parandalimi i demences)
Monitorim periodik i gjendjes së ushqyerjes si dhe këshillimi për ushqyerje të shëndetshme
Këshillim për masa parandaluese për sëmundjet ishemike të zemrës dhe ato cerebrale
Këshillim për ushtrime fizike dhe marrje të kalciumit dhe vitaminës D për të parandaluar pasojat e osteoporozës
Monitorimi dhe edukimi periodik i të moshuarve dhe familjarëve të tyre mbi dhunën apo abuzimin ndaj të moshuarve
2 Tetor 2009