E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Ksera dhe loja e tij përçarëse

 Personat me Aftësi të Kufizuara

Z. Ksera pasi ia arriti qëllimit në ndryshimin e statusit të paraplegjikëve, tetraplegjikëve dhe të verbrit, tani i duhet të menaxhojë me kujdes pasojat e këtyre ndryshimeve. Ai ka deklaruar vazhdimisht, që kur erdhi në pushtet, se nuk do të prekte asnjëherë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara madje do ti përmirësonte ato. Në fakt, ai është iniciator i tre përkeqësimeve dhe mohimeve të të drejtave të fituara. Në vitin 2010 shkëputi indeksimin e pagesës së aftësisë së kufizuar nga rritja e pagës minimale me objektiv të qartë, ul reduktimin e shpenzimeve të qeverisë dhe deformimin e konceptit të pagesës së aftësisë së kufizuar.

Me të njëjtat qëllime, ai ndryshoi edhe ligjin Nr. 9355, datë 10.03.2005 për ndihmën dhe shërbimet shoqërore duke i mohuar të gjitha aftësisë së kufizuar përfitimin e ndihmës ekonomike. Me këtë rast Z. Ksera synon që pagesën për shkak të aftësisë së kufizuar nga një pagesë me karakter mbështetës integrues, ta kthejë në një pagesë thjesht ekonomike. Pra, kjo pagesë nuk mund të përdoret më për të zbutur përjashtimin shoqëror apo barriera të tjera, por do të përdoret për të blerë thesin e miellit.

Me ndryshimet e fundit ai synon të kursejë ndjeshëm buxhetin e shtetit duke i çuar paraplegjikët, tetraplegjikët dhe të verbrit nën batanije dhe duke izoluar akoma më shumë nga komunikimi me telefon dhe transport. Pra, Z. Ksera tashmë pa frikë mund të quhet arkitekt i madh i mureve të veçimit të këtyre grupeve nga shoqëria dhe dora e djathtë e ministrit të financave për kursimet. Se përse Zoti Ksera është kaq i zellshëm këtë ne nuk e kuptojmë dhe as nuk duam ti hyjmë motiveve të tij, por loja e përçarjes që ai po përpiqet të bëjë është e ulët dhe e papranueshme.

Se përse sopata bie së pari mbi këto grupe, kjo tashmë është e qartë: sepse ato janë më të pambrojturat! Nuk mund të bëhet kjo me mësuesit, mjekët sepse ata nuk kanë në dorë vetëm protestën por kanë edhe grevën e cila paralizon sektorët përkatës. Çfarë mund të bëjnë personat me aftësi të kufizuara përveç 135 protestave? Z. Ksera me sa duket i ka konsideruar të vlefshme protestat e të verbërve, paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve.

Ai e ka kuptuar vendosmërinë e tyre për të protestuar madje pa ndërprerje edhe në të gjithë Shqipërinë. Në këto rrethana, Z. Ksera duhet të kërkojë edhe një rrugë shpëtimi dhe gjëja e parë që i vjen në mëndje një sundimtari është të përçajë rajan. Kështu është kur karrigen e kupton si sundim dhe jo si ushtrim të demokracisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›