Muzika shumëzërëshe dhe lidhjet e saj muzikën fetare
Mbi 30 studiues nga vende të Europës, Amerikës së Veriut dhe të Jugut si dhe të Azisë u takuan para dy ditësh në Tiranë për një simpozium kushtuar muzikës shumëzërëshe, e përfaqësuar në Shqipëri nga iso-polifonia.
Gjatë prezantimit për rëndësinë e këtij aktiviteti folën, jo vetëm organizatorët Ardian Ahmedaja, Emi Aliçka, por dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, profesori slloven i etimologjisë Sevanibor Pettan, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike Ardian Mirashi etj.. U ekzekutua muzikë tradicionale nga grupe gege dhe toske artistësh popullorë.
Ndërsa dje, sërish në kuadër të simpoziumit që vazhdon punimet deri më 29 prill, u promovua dhe CD-ja me regjistrime shqiptare që u realizuan në vitet 1903 nga studiuesi gjerman Paul Traeger dhe më 1957 po nga një studiues gjerman, Erich Stockmann.
Aktiviteti i radhës është sot në orën 09:00-11:00 në Rogner ku prezantohen këndvështrime mbi raportet e muzikës folklorike me muzikën fetare në Estoni, Argjentinë, Spanjë, Poloni etj.