INSTAT: Bien çmimet me 0.5%, por inflacioni mbetet i lartë
Produktet bujqësore të stinës kanë ndikuar në uljen e çmimeve në tërësi në vend, si pasojë e rritjes së prodhimit dhe mbulimit të kërkesës në treg. INSTAT deklaroi dje se çmimet në muajin korrik kishin pësuar një ulje të lehtë me 0.5 për qind, duke shënuar një nivel inflacioni prej 3.4 për qind, që konsiderohet ende i lartë, madje i rritur në krahasim me muajin qershor, që ishte 3.2 për qind.
Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha ndikimin më të madh në zbutjen e çmimeve, pasi shënoi një ulje prej 1.3 për qind, ku brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 8.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu INSTAT përmend uljen e çmimit të patëllxhanëve me 33.3 për qind, specave me 31.5 për qind, qepëve të thata me 26 për qind, domateve me 8.6 për qind, kastravecëve me 4.7 për qind, etj. Edhe çmimet e nëngrupit “fruta” shënuan një ulje prej 3.3 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të shalqirit, me 17.8 për qind, pjeprit me 12.5 për qind, etj. Ndërsa çmimet e disa frutave të tjera shënuan rritje gjatë këtij muaji, ku mund të veçojmë rritjet e çmimeve të kivit me 4.0 për qind, limonëve me 2.5 për qind, portokajve me 1.0 për qind etj.
Mallrat e “luksit”, siç quhen ndryshe, kanë pësuar rritje, ndikuar edhe nga akciza e re, që pësoi ndryshim në muajin maj. Kështu, indeksi i grupit “pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.2 për qind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkoolike dhe çmimi i duhanit shënuan një rritje prej 0.2 për qind. Indeksi i grupit ”Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0.1 për qind, ku mund të veçojmë uljen e çmimeve të nëngrupit këpucë me 0.2 për qind.
Sakaq, karburantet vijojnë rritjen, ndikuar nga kushtet e tregjeve ndërkombëtare, por edhe nga taksat e larta të miratuara pak kohë më parë. Konkretisht, te grupi ”Transport” nuk ka pasur ndonjë ndryshim indeksi, por brenda tij çmimet e karburanteve shënuan rritje dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi një rritje prej 0.1 për qind, dhe çmimi i benzinës 0.2 për qind. Gjithashtu, indeksi i grupit ”Shëndeti” shënoi një rritje prej 0.2 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimeve të shërbimeve mjekësore me 0.2 për qind dhe medikamenteve me 0.1 për qind.
#