E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metalurgët, në prag të grevës së urisë

Paralajmërimi

Greva e 300 metalurgëve të Elbasanit ka hyrë në ditën e tetë të zhvillimit të saj. Edhe dje, metalurgët nuk kanë pranuar të nisin punë përkundër kërcënimeve të drejtuesve të kompanisë turke se do të praktikonte sanksione ekonomike të forta ndaj metalurgëve dhe drejtuesve të grevës. Tri ditë më parë, administratori turk i “Kurum” doli me një deklaratë që paralajmëronte grevistët për të prishur kontratën kolektive dhe vënien para përgjegjësisë të nxitësve të grevës. Ndërkohë, paraditen e djeshme sindikata e metalurgëve kishte paralajmëruar futjen në grevë urie të 20 punëtorëve të parë. Burime nga sindikata e metalurgëve bëjnë me dije se për një kompromis dypalësh është afruar edhe deputeti i Elbasanit, Luçiano Boçi, por gjer në orën 15:00 të së hënës nuk është arritur asnjë marrëveshje. Ndërkohë, mësohet se metalurgët e kanë shtyrë hyrjen në grevë urie për ditën e sotme, nëse nuk gjenden zgjidhjet e pranueshme nga të dyja palët. Ndonëse greva e metalurgëve ka hyrë në ditën e nëntë, asnjë zyrtar nuk është ofruar t’u japë zgjidhje kërkesave të tyre. Tri ditë më parë, dy përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe çështjeve sociale, kanë qëndruar vetëm dhjetë minuta në zyrat e administratës së “Kurum” dhe kanë ikur pa u ndier. Sot, metalurgët kanë lajmëruar në mënyrë të parevokueshme nisjen e grevës së urisë, nëse nuk është gjetur një rrugëzgjidhje për kërkesat e tyre.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›