Ministri Noka, vizitë ngushëllimi në shtëpinë e Fatbardha Tafës

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka ka zhvilluar sot një vizitë ngushëllimi në shtëpinë e Fatbardha Tafës në fshatin Hardhishtë të Shijakut, e cila u vra mbrëmjen e 7 gushtit në kryeqytet. Fatbardha Tafa u vra pasditen e së martës teksa po shëtiste në këmbë me të motrën dhe fëmijët e saj në zonën periferike të kryeqytetit, tek ish- Fusha e Aviacionit në sy të fëmijëve të saj, ndërsa motra e saj, Lumturie Gjana, mbeti e plagosur.
Ndërkaq një ditë më parë Policia e Tiranës ka arrestuar shtetasin Aldo Hoxha, si autorin e dyshuar për vrasjen e saj dhe plagosjen e së motrës. Provat ndaj 20-vjeçarit nga Cekreza kanë bindur oficerët e Policisë Gjyqësore dhe drejtuesit e Policisë së Tiranës, që t`i kërkojnë Prokurorisë masën e arrestit ndaj këtij personi, nën akuzën e vrasjes së Fatbardha Tafës.
Hoxha ishte marrë më parë në pyetje nga forcat e rendit por nuk kishte pranuar të përgjigjej. Atij i ishte gjetur edhe një kapele me njolla gjaku, të cilën forcat e rendit e çuan për ekspertizë. Nga kjo e fundit rezultoi se gjaku ishte pikërisht ai i viktimës 38-vjeçare.