Ministri Oketa, takon në Pentagon Sekretarin amerikan të Mbrojtjes
Amerikë - Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa ka zhvilluar një vizitë zyrtare në SHBA, ku është pritur në një takim të veçantë nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes në Pentagon, Robert Gates. Gjatë këtij takimi u diskutua për ecurinë e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, kontributet në operacionet paqeruajtëse dhe ecurinë e procesit të reformave në vend dhe në Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar bashkëpunimin shumë të mirë dypalësh dhe u angazhuan për ta çuar më tej atë. Ministri Oketa e njohu Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, me zhvillimet aktuale në Forcat tona të Armatosura si dhe me objektivat kryesore, që lidhen me modernizmin dhe me zhvillimin e kapaciteteve operacionale dhe asgjësimin e municioneve të tepërta. Sekretarit Amerikan i Mbrojtjes vlerësoi dhe falënderoi kontributin e Shqipërisë dhe të Forcave te Armatosura Shqiptare në misionet paqeruajtëse në Irak e Afganistan, shprehu edhe njëherë urimet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe vlerësoi vendimin e qeverisë shqiptare, për të rritur kontributin e paqeruajtësve në Afganistan. Gates, ofroi mbështetjen dhe ndihmën në vazhdimësi të Departamentit Amerikan të Shtetit. Më tej, ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë Oketa dhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Gates, diskutuan edhe për situatën në rajon duke e vlerësuar rolin e Shqipërisë si faktor i rëndësishëm stabiliteti.
Aksidenti rrugor, arrestohet drejtuesi i furgonit që përplasi motoçikletën
Shkodër – Forcat e policisë së qarkut të Shkodrës kanë bërë arrestimin në flagrancë të 53-vjeçarit Bajram Bjeshka, lindur dhe banues në Vaun e Dejës, për shkak se ai ka qenë autori i një aksidenti automobilistik të shkaktuar kundrejt një motoçiklete. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, arrestimi i tij u bë pasi në aksin rrugor Shkodër-Vau i Dejës, pikërisht në vendin e quajtur “kryqëzimi i Hidrocentralit”, duke qenë në drejtim të mjetit furgon me targa SH 1024 D, është përplasur me një motorçikletë, e cila drejtohej nga shtetasi N. M, vjeç 17, lindur e banues në fshatin Naraç të rrethit Shkodër. Si pasojë e këtij aksidenti, është dëmtuar drejtuesi i motoçikletës, i cili aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal të Shkodrës, në gjendje kritike për jetën.
14 Maj 2009