Pranga në mes të Athinës emigrantit shqiptar, dyshohet për vrasjen e një polici
Athinë – Një emigrant shqiptar, 26 vjeç, është arrestuar në lagjen Kolonos të Athinës, pasi dyshohet se ka qëlluar për vdekje një polic gjatë grabitjes së bankës më 5 mars. Emri i tij nuk bëhet ende i ditur, por burimet policore bëjnë me dijeni se ai kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin fqinj. Ato shtojnë edhe se ai ishte pjesë e një bande prej 12 grabitësish. Kjo ngjarje dhe shumë të tjera, sipas medieve greke vërtetojnë të dhënat e nxjerra së fundmi nga Qendra Kombëtare e Studimeve Sociale, sipas të cilave, të huajt kryejnë pjesën më të madhe të krimeve dhe akteve të dhunshme në Greqi. Ky studim tregonte se si vitet e fundit të huajt kanë kryer në shtetin fqinj 36.36 për qind të vjedhjeve nga 13.53 për qind, në fillim të viteve 90-të. Në vjedhjet bile pa dhunim të banesave nga 3.45 për qind në vitin 1990 arritën në 37.55 për qind në vitin 2007. Një rritje shqetësuese vihet re dhe në krimet e rënda. Në vrasjet me paramendim, edhe pse rekordin e mbajnë vendasit, në 32.46 për qind të akteve të shënuara gjatë vitit 2007, autorë janë të huajt. Për të gjitha këto, grekët fajësojnë kryesisht të huajt, për të cilët thuhet se ata kanë shënuar edhe arratisjet më të mëdha nga burgu.
Rehabilitimi i Levan-fier, fshatarët në protestë: Po na dëmton tokat tona
Vlorë – Punimet për rehabilitimin e një rruge, kanë nxjerrë në protestë gjithë banorët e një fshati në rrethin e Vlorës, të cilët paraqiten mjaft të revoltuar për dëmet, që sipas tyre, ndërtimi i rrugës po u shkakton tokave që gjenden krahas saj. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme në formë reagimi ndaj ndërtimeve në segmentin Levan-Fier, ku banorët aktualisht gjenden në protestë dhe nuk lejojnë të kalojë njeri në rrugën e tyre, duke shkaktuar në këtë mënyrë, një pengesë serioze për vazhdimin e punimeve. Rruga Levan-Fier, parashikohet të përmbyllet sa më shpejt, por duket se nuk janë të tërë optimistë për realizimin punimeve të saj. Banorët e këtij fshati për shembull paraqiten mjaft të revoltuar dhe ky nuk është rasti i parë kur reagohet me forma të tilla proteste, deri edhe në bllokimin e rrugëve hyrëse në lidhje me ndërtimin e segmenteve të ndryshme rrugore. Kjo nuk është hera e parë që ka reagime të tilla për këtë rrugë nga banorët e zonës.
Motori përplaset me makinën, plagoset 23-vjecari
BERAT- Një aksident i rëndë me pasojë plagosjen e një 23-vjeçari ka ndodhur mesditën e djeshme në aksin rrugor Berat- Lushnjë.
Klodian Bani, i cili udhëtonte me një motor, mësohet të jetë përplasur me një mjet tip Bens me targa TR 0958 M, që udhëtonte drejt Beratit. Përplasja ndodhi në fshatin Syzezë, rreth orës 13:30 ku i riu dyshohet të ketë humbur kontrollin e mjetit dhe si pasojë e devijimit është përplasur me mjetin tip Benz. 23-vjeçari është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Beratit, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën.
14 Maj 2009