E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Olldashi inspekton punimet e Superstrades Levan-Tepelene

Ministri Olldashi inspekton punimet e Superstradës Levan-Tepelenë

Punimet në superstradën Levan-Tepelenë kanë avancuar mirë dhe kanë hyrë tashmë në një fazën e asfaltimit intensiv.

Konkretisht, në lotin e parë Levan-Damës,kanë përfunduar mbi 60% e punimeve dhe janë asfaltuar tashmë 20 kilometrat, nga 38 gjithsej që është ky lot.

Në lotin e dytë, Damës-Tepelenë, me gjatësi 32 kilometra, janë asfaltuar 15 kilometra.

Punimet në këtë aks rrugor i inspektoi ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi.

Gjatë fjalës së tij, ministri u shpreh:

“Jemi në një nga pikat më kritike të këtij projekti, konkretisht segmenti që gjendet mbi lumin Vjosë, jo anash tij.

Është një segment shumë i vështirë sepse rruga nuk ka formën e një rruge tradicionale apo të një urë tradicionale.

Aktualisht jemi në një ballkon mbi lumë Vjosa, 8 m të gjerë dhe jemi të detyruar të bëjmë punime shumë specifike që të bëjmë të mundur zgjerimin e rrugës për shkak të terrenit që nuk lejon mënyrë tjetër të ekzekutimit të punimeve.

Nga ana tjetër, në të gjithë segmentin po vazhdojnë punimet për asfaltimin, këtu i referohem jo vetëm segmentit nga Damës-Tepelena, por edhe nga Levani në Damës.

Deri në këto momente që po flasim, janë asfaltuar 36 km ne totalin e vet, pra pothuajse më shumë sesa gjysma e rrugës.

Me ecurinë e tanishme sezoni i ardhshëm do ta gjejë këtë rrugë në operim në të gjithë segmentin nga rrethrrotullimi i segmentit Levanit deri në Tepelenë, duke i dhënë një mundësi shumë të mirë trafikut për të gjithë zonën jugore të vendit”.

Aktualisht punimet më intensive janë përqendruar në nyjën e Levanit në urën e lumit Vjosa dhe në urën e Benicës.
Superstrada Levan-Tepelenë, që financohet nga Bei dhe Berzh, është e ndarë në dy lote dhe bën pjesë në korridorin veri-jug.

Punimet priten të përfundojnë në pranverën që vjen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›