E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Olldashi ne perurimin e punimeve per ndertimin e rrjetit te ri te ujesjellesit

Sistemi i ujësjellës kanalizimeve në qytetin e Durrësit do të përmirësohet përmes dy investimeve të rëndësishme që kanë nisur të zbatohen, duke zgjidhur kështu edhe problemin e furnizimit me ujë për zonën e plazhit.

I pranishëm në fillimin e punimeve për ndërtimin e  rrjetit të ri të ujësjellësit ka qenë ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, deputetë të zonës si dhe drejtues të institucioneve.

Projekti, i cili kap vlerën e 168 milion lekë,  do të shtrihet në një sipërfaqe prej 203 hektarë, ndërsa do të furnizojë me ujë të pijshëm  15 mijë banorë.

Ministri Olldashi në fjalën e tij e vuri theksin në rëndësinë e projektit, i cili do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë furnizimin me ujë të zonës së plazhit, e  njohur si shumë problematike, kryesisht në periudhën e sezonit të plazhit.

Ndërkohë lidhur me problemin e kanalizimive në zonat bregdetare ,Olldashi ka pohuar se brenda pak muajve  problem i ujërave të zeza për këtë zonë do të jetë një çështje që i përket të shkuarës.

Sipas tij,  ndërtimi i magjistralit kryesor, i cili përfundon dhe fazën e parë të projektit është drejt mbylljes, ndërkohë që do të vazhdojë faza tjetër ajo e lidhjes së rrjetit dytësor me magjistralin kryesor.

 Aktualisht  zona e plazhit furnizohet me ujë të pijshëm, vetëm një orë në ditë, ndërkohë që me vënien në zbatim të projektit të ri parashikon që zona në fjalë të furnizohet 15 orë në ditë me ujë dhe të shmangen humbjet në rrjet.

Punimet  pritet të  përfundojnë brenda 4 muajve dhe fondi i vënë në dispozicion kap shifrat e 168 mln lekë të reja, një investim i qeverisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›