E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Olldashi nënshkruan kontratën për autostradën Tiranë-Elbasan

TIRANË- Ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi nënshkroi sot kontratën për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan me grupin Actor dhe Copri. Konkretisht në segmentin nga Sauku deri në dalje të tunelit të Kërrabës dhe nga dalja e tunelit të Kërrabës deri në hyrje të qytetit të Elbasanit.

Ministri bëri të ditur se punimet për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan parashikohet të mbyllen në pranverë të vitit 2013, ndërsa vuri në dukje se në tunel është kryer 50 % e punimeve.

Fondet për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan janë siguruar nga Banka Islamike për Zhvillim, Aby Dhabi dhe OPEC.

Avantazhet e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, autostradës Tiranë-Elbasan, pritet të jenë të shumta. Autostrada e re shkurton mbi 50 minuta, në distancë e shpejtësi, rrugën drejt Elbasanit dhe kjo jo vetëm për qytetarët e Elbasanit, por edhe për qytetarët e Sarandës e Konispolit, Delvinës e Gjirokastrës, Tepelenës e Përmetit, Skraparit e Beratit, Gramshit, Kolonjës, Korçës, Pogradecit e Librazhdit, duke qenë ajo segmenti i parë e më i rëndësishmi i Boshtit të Jugut.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›