Ministri Panariti pret ambasadorët Holtkemper e Gaiani

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, priti sot në një takim kortezie ambasadoren gjermane në Tiranë Karola Myler-Holtkemper. Ministri Panariti informoi znj Holtkemper për ecurinë e reformave kyçe në kuadër të 12 prioriteteve të Komisionit Evropian. Duke u ndalur në reformën zgjedhore dhe reformën e procedurave parlamentare, Ministri evidentoi se tashmë palët janë ulur, po dialogojnë dhe kjo është një shenjë pozitive dhe shprese që brenda afateve të gjendet kompromisi për çështjet e mbetura pezull.
Ministri Panariti gjithashtu theksoi se mazhoranca është plotësisht e angazhuar për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë.Z. Panariti duke vlerësuar Gjermaninë si një partner shumë të rëndësishëm të Shqipërisë kërkoi mbështetjen e Berlinit për avancimin e Shqipërisë në procesin e saj të integrimit, duke synuar marrjen sa më të shpejtë të statusit të vendit kandidat në BE.Ambasadorja gjermane uroi zotin Panariti për detyrën e re, dhe shprehu gadishmërinë për intensifikimin e marrëdhënieve dhe aktivitetit diplomatik mes dy vendeve. Me këtë rast, znj Holtkemper informoi se Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westervelle po përgatit nje vizitë në Shqipëri, që do të realizohet në një të ardhme të afërt.
Ministri i Punëve të Jashtme ka pritur gjithashtu edhe ambasadorin italian në Tiranë, Massimo Gaiani. Z.Gaiani pasi uroi Panaritin për detyrën e re, shprehu vlerësimin për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe miqësinë e konsoliduar mes dy vendeve tona. Në takim, Ministri Panariti theksoi se në kuadër të kësaj trashëgimie të shkëlqyer të marrëdhënieve dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve, Shqipëria sheh tek Italia mike një mbështetëse të fuqishme në procesin e integrimit të saj europian. Kjo do jetë dhe tema kryesore e bisedimeve që Panariti do të zhvillojë me homologun e tij italian, z.Terzi gjatë vizitës që do të zhvillojë në Itali më 9 korrik me ftese te ministrit te jashtem italian.Vizita në Itali do të jetë dhe vizita e parë e Ministrit Panariti që nga marrja e detyrës.