Ministri Pollo: Jemi qeveri që mbajmë fjalën e dhënë

FSHZH-ja fillon punën për rikonstruksionin e rrugës hyrëse të Kuçovës
Një tjetër investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit fillon nga zbatimi në qytetin e Kuçovës, investim i cili është financuar nga qeveria shqiptare dhe donatorë të tjerë. Për këtë arsye Ministri i Inovacionit dhe TIK, njëkohësisht kryetari i Grupit të Punës së PD-së për qarkun e Beratit, Genc Pollo, së bashku me Drejtorin e FSHZH-së, Benet Beci, Prefektin e Qarkut, Bujar Hoxhaj, dhe drejtues të pushtetit lokal në rrethin e Kuçovës, kanë marrë pjesë në inagurimin e fillimit të punimeve të segmentit rrugor që lidh hyrjen e Kuçovës me qendrën e saj.
Gjatë fjalës së tij Ministri Pollo tha se, “Ne jemi qeveri e fjalës së dhënë, qeveri e fjalës së mbajtur. Jo vetëm në 2009, por edhe në 2011, kemi premtuar urbanizimin e Kuçovës dhe urbanizimin e komunave rrethe për qark. Sot ne premë shiritin e një rruge 800 m, që rregullon qendrën e Kuçovës dhe që është me gjerësi 10 m, një ndër ndërhyrjet e para të Fondit Shqiptar të Zhvillimit në territoret bashkiake, në ato urbane, pasi është inauguruar rruga që lidh qendrën e Kuçovës (tregun) me qendrën e komunës së Kozares”.
Më tej zoti Pollo ka theksuar se, “këto janë investime në dobi të popullsisë, në dobi të komunitetit, që e ngrenë nivelin e infrastrukturës dhe, në mënyrën korresponduese, nivelin e jetesës në ato standarde që i kemi premtuar dhe që së bashku po punojmë përditë për t’i arritur. Falënderojmë të gjithë ata që kanë bashkëpunuar dhe FSHZH-në me efektivitetin e tij, tashmë, të mirënjohur, për këtë arritje dhe shpresoj që për një kohë të shkurtër të jemi këtu, jo për të shënuar fillimin e punimeve, por, për të inauguruar asfaltin e pastër dhe të qartë, që të çon nga kjo pikë deri në qendrën e qytetit të Kuçovës”, ka përfunduar fjalën e tij Ministri Pollo.
Rruga që do të lidhi hyrjen e Kuçovës me qendrën e saj do të jetë e pajisur me të gjithë elementet e nevojshme të infrastrukturës, siç janë sinjalistika vertikale dhe horizontale, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza dhe linjat e elektro-telefonisë.